Bora Feri ngre në këmbë Pallatin e Kongreseve me rrëfimin për të atin
Bora Ferri, e bija e aktorit të njohur, Xhevdet Ferri (i cili ndërroi jetë në 16 janar të vitit 2020) ka rrëqethur publikun me monologun për babanë e saj, në skenën e Festivalit 63 të Radio Televizionit Shqiptar.
“Dëshiroj të ndaj me ju një marrëdhënie të jashtëzakonshme adhurimi, respekti, mirënjohje dhe dashurie të ndërsjellë mes një vajze dhe babait të saj”, tha Bora Ferri në nisje të monologut të saj.
Në monologun e saj, Bora rrëfeu raportin e saj të veçantë që ka pasur me babanë e saj, aktorin e njohur të kinematografisë shqiptare, Xhevdet Ferri. Ajo tregoi se si është mësuar në etapat e jetës nga babai i saj, që prej mësimit të biçikletës dhe notit e deri te respekti për njerëzit.
“Unë jam Bora Ferri, dhe në jetë kam pasur privilegjin të kem pasur baba një burrë të madh që quhej dhe quhet Xhevdet Ferri. Xhoda dhe unë e kemi ruajtur fanatikisht marrëdhënien që kemi pasur gjatë jetës së tij. Që prej ikjes në botën e përtejme unë nuk e kam mbajtur më për vete dhe e kam ndarë në çdo moment oportun qoftë prej mallit, por edhe për t’i bërë dhe lartësuar figurën e tij prej babai.
Qëllimi është mos qaj sonte. Në një epokë kur ne jetojmë, kur kuotat e të qenit nënë, grua, profesioniste, janë në pikëpyetje. Kur me raste fatkeqësisht jo shumë të rralla, gruaja trajtohet si pronë e babait apo bashkëshortit, unë qëndroj këtu sot për t’u treguar që ka edhe ndryshe. Ka edhe një lidhje mes babait dhe vajzës së vet që formëson vetëbesimin, karakterin dhe zgjedhjen e vajzës gjatë jetës së saj.
Për mua im atë ishte dhe mbetet pikë referimi, shtyllë mbështetëse, model dhe barometër për standardin e virtyteve dhe arritjeve të mia. Ai më ka dhënë gjatë gjithë jetës besim dhe vëmendje. Më ka mësuar të lexoj, të notoj, t’i jap biçikletës, mes shumë të bërtitura dhe episodeve dramatike t’i jap edhe makinës. Të debatoj, të argumentoj, të jem në orar, të respektoj veten dhe të respektoj njerëzit. Ka sakrifikuar që unë të shkollohesha mirë”, u shpreh gjatë monologut Bora Ferrit.
Ajo tregoi më tej se si Xhevdet Ferri i ka mësuar asaj dinjitetin, pavarësinë dhe respektin.
“Më ka shoqëruar për në kopsht dhe në shkollë duke më treguar rrugët në vend të përrallave dhe histori për fëmijë, komeditë dhe tragjeditë e Shekspirit, kuptohet, version i zbukuruar, Iliadën dhe Odisenë etj. Më vonë qëndronte me mua duke bërë detyrat, duke lexuar Atlas dhe Enciklopedi. Ka qëndruar me mua deri në 4 të mëngjesit me mua dhe shoqërinë duke plotësuar aplikime për në Oxford. Xhoda ishte telefonata ime e parë dhe e fundit e ditës, dhe në fundjavë në orën 8 të mëngjesit. Prezenca e tij ka qenë shumë e rëndësishme në jetën time por kurrë nuk ka krijuar hije mbi mua. Nuk e di se si, por dita ndriçonte gjithnjë me prezencën e tij. Kishte dhuntinë të besoja fort te vetja dhe të guxoja por edhe të dyshoja te vetja për të qëndruar me këmbë në tokë. Donte të bëhesha e fortë dhe për ironi të fatit, asgjë nuk ma ka testuar forcën dhe qëndrueshmërinë se sa ikja e tij. Dinjiteti, pavarësia dhe respekti ishin të paprekshëm për të. Bashkë me mamanë ata kanë qenë shembulli i një marrëdhënie të shëndetshme si fillim njerëzore dhe më pas romantike e familjare. Në një botë ku vajzat përballen me presionet në çdo drejtim, mbështetja e një babai është busulla që i mban ato të lidhura me vlerat e tyre. Ndaj thirrja ime shkon për baballarët; nuk ka vetëm djem në këtë botë, mos hezitoni t’i doni dhe t’i mbështesni vajzat tuaja. Një botë me vajza të vlerësuara dhe që e duan veten është padyshim një botë më e mirë dhe më e arrirë. Faleminderit, gëzuar dhe i paçit zemrat dhe shtëpitë plot”, përfundoi monologun e saj, Bora Ferri.