Në Bosnjë, një fëmijë i lindur nga një përdhunim gjatë luftës shkruan historinë e tij
Tani, pas dekadash me stigmë, Muhiq po boton kujtimet e tij të para, me titullin Unë jam Aleni.
Këtë vit bëhen 30 vjet nga përfundimi i luftës së Bosnjës 1992–1995, gjatë së cilës vlerësohet se nga 20,000 deri në 30,000 gra ishin viktima të dhunës seksuale.
Në Foca, një qytet në brigjet juglindore të lumit Drina, gratë boshnjake u kapën dhe u mbajtën në robëri nga ushtarët serbë, përfshirë edhe të ashtuquajturit “luftëtarë të fundjavës” nga Mali i Zi. Këto gra u përdhunuan dhe u torturuan sistematikisht, kryesisht gjatë verës së vitit 1992. Ndër to ishte edhe nëna biologjike e Muhiqit.
Në 30 vitet që kanë kaluar, Muhiqi ka qenë aktiv në advokimin për dukshmëri më të madhe dhe të drejta të barabarta për fëmijët që, si ai, janë lindur si rezultat i përdhunimeve të kohës së luftës. Ai është anëtar i Shoqatës “Fëmijët e Harruar të Luftës”, që synon të sigurojë njohje ligjore dhe shoqërore, si dhe respekt, për fëmijët e lindur nga dhuna gjatë luftës.
Libri i tij, Unë jam Aleni, është autobiografia e parë e shkruar nga një prej këtyre fëmijëve.
“Ky libër nuk është vetëm për mua – ky është një libër për një heshtje që ka zgjatur shumë dhe për një zë që ka vendosur të mos heshtë më”, tha ai në një intervistë për BIRN.
Nuk do të hesht më
Muhiqi ishte vetëm dhjetë vjeç kur mësoi kush ishin prindërit e tij biologjikë, pas një zënke në shkollë, kur një bashkëmoshatar e ofendoi duke e quajtur një “bastard çetnik i birësuar”. Fjala “çetnik” është një term përçmues për një serb, që i referohet milicisë nacionaliste serbe aktive gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Si fëmijë nuk i kuptoja origjinat e mia, por e ndjeja që diçka nuk ishte si te të tjerët” – kujton Muhiq.
Libri i tij trajton një sërë temash të lidhura me fëmijët e harruar të luftës në Bosnje.
“Një nga temat kryesore është identiteti: kush jam unë, nga vij dhe si të jetosh si një fëmijë i lindur nga përdhunimi gjatë luftës. Kjo është një barrë, por edhe një mision.”
“Pastaj është dashuria dhe birësimi: historia e familjes sime Muhiq, e babait tim Muharemit dhe nënës sime Advijes, të cilët më pranuan dhe më deshën si fëmijën e tyre. Dashuria e tyre është ajo që më shpëtoi.”
Muhiq thotë se libri flet gjithashtu për stigmatizimin që ai dhe fëmijët e tjerë të luftës kanë përjetuar, i thelluar nga vështirësia për të jetuar “në një shoqëri që hesht për ne ose kthen kokën nga ana tjetër.”
Ai shkruan për takimin me nënën e tij biologjike, një moment kur “emocionet më pushtuan”, tha ai. Më parë ai ka treguar për mediat se ishte në kontakt me nënën për disa muaj, por “e ndërpremë, sepse nuk doja të vazhdoja të isha një traumë në jetën e saj. Edhe ajo ka kaluar shumë,” thekson ai.
Babai i tij biologjik, Radmilo Vukoviq, u akuzua nga Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës në vitin 2006 për përdhunimin e nënës së Muhiqit në Foca. Fillimisht, ai u shpall fajtor, por pas apelimit, vendimi u rrëzua në gusht 2008.
Muhiq shton se libri i tij nuk përshkruan vetëm përballjen emocionale me nënën biologjike, por edhe “udhëtimin tim drejt pranimit dhe paqes me vetveten.”
Të rritesh me stigmën e të qenit fëmijë i lindur nga dhuna seksuale ka qenë një “rrugëtim i gjatë dhe shpesh i dhimbshëm” drejt pjekurisë. “Ndërsa rritesha, zbulova fragmente të së vërtetës – disa më thyen, disa më formësuan”, tha Muhiq.
Ai u ndihmua nga familja e tij dhe nga psikoterapistja Amra Deliç, një specialiste në neuropsikiatri, e cila kreu studimet e saj master për gratë boshnjake që mbijetuan përdhunimet gjatë luftës.
“Pjekuria ime erdhi përmes të tjerëve – përmes dashurisë së babait dhe nënës sime, përmes takimeve me gra që kishin përjetuar atë që përjetoi nëna ime biologjike, përmes mbështetjes së doktoreshë Amra Deliç, përmes lindjes së djalit tim Rejjan. Secili prej këtyre momenteve më formësoi dhe më çoi në pikën ku ndjeva se isha gati, jo vetëm për të folur, por për të qenë një zë.”
Historia e Muhiqit ka frymëzuar dy filma: Një djalë nga një film lufte nga Semsudin Gegiç në vitin 2004 dhe Grbavica nga Jasmila Zbaniç në vitin 2006. Edhe pse Muhiq e pranon se “gjithçka kishte një vlerë”, ai shtoi se “nuk ishte e mjaftueshme. Sepse as kamera, as mikrofoni nuk mund ta kapin atë që ndodhet në zemrën tënde. Zemra mban nuanca që asnjë imazh apo tingull nuk mund t’i përcjellë, vetëm fjalët, të sinqerta, të shkruara nga shpirti.”
Ai e përshkroi procesin e shkrimit të librit si një “reflektim i thellë shpirtëror”.
“Çdo faqe më ktheu në vende që ndoshta i kisha shtypur, tek emocione që i kisha mbajtur të mbyllura me çelës për vite të tëra. Ndonjëherë shkruaja në heshtjen e natës. Ndonjëherë ndalesha së shkruari, sepse lotët ishin më të fortë se fjalët” – tha ai.
Nuk ka mjaftueshëm ndryshim
Sot, Muhiq nuk është vetëm bashkëshort dhe baba, ai është gjithashtu një aktivist për të drejtat e të gjithë fëmijëve në Bosnjë e Hercegovinë që janë lindur si rezultat i dhunës seksuale. Edhe pse organizata si Shoqata e Fëmijëve të Harruar të Luftës kanë arritur të lobojnë me sukses për miratimin e ligjeve që njohin ligjërisht dhe u japin të drejta fëmijëve të luftës në Distriktin Brcko dhe në entitetin e Federatës, Muhiç beson se Bosnja ende përballet me një betejë të brendshme lidhur me këtë çështje.
“Shoqëritë tona kanë rindërtuar ndërtesa, por nuk e kanë rindërtuar shpirtin. Ndër ata që historia i ka shtyrë në margjina jemi ne – fëmijët e lindur nga përdhunimi gjatë luftës. Ne jemi ata fëmijët e harruar të luftës” – tha ai.
“Ajo që do të doja të shihja është pranimi dhe mirëkuptimi. Që shoqëria më në fund të pranojë se ne ekzistojmë, se nuk jemi turp, por një e vërtetë. Do të doja që institucionet, arsimi, mediat, si dhe ndërgjegja kolektive, të krijojnë hapësirë për këtë çështje, jo për shkak të së kaluarës, por për të ardhmen.”
Pavarësisht sfidave që ka përpara, Muhiq thotë se ka shumë bekime që i japin shpresë, si djali i tij Rejjan. “Në sytë e tij shoh një të ardhme që nuk ka pse të mbajë shenjat e së kaluarës.”
Libri Unë jam Aleni do të promovohet në qytetin e tij të lindjes, Gorazde, më 09.07.2025