Të miturat në Korçë konsumuan Camino, përmban 10 miligram THC, përbërës psikoaktivë i kanabisit
Tre vajza të mitura, të moshave 10, 7 dhe 3 vjeçe, janë dërguar me urgjencë në spitalin e Korçës ditën e djeshme, pasi kishin konsumuar disa karamele që kishin gjetur pranë një koshi mbeturinash. Gjendja e tyre shëndetësore alarmoi familjarët, ndërsa mjekët dyshuan menjëherë për intoksikim nga substanca narkotike. Pas analizave, u konstatua se vajzat kishin konsumuar karamele që përmbanin përbërës psikoaktivë.
Sipas burimeve zyrtare, bëhet fjalë për karamele të markës “Camino”, një produkt i ndaluar për tregtim në Shqipëri, pasi secila prej tyre përmban 10 miligram THC, përbërësi kryesor psikoaktiv i kanabisit. THC është përgjegjës për efektet dehëse që prodhon kanabisi, dhe konsumimi i tij, sidomos nga fëmijë, mund të shkaktojë pasoja serioze në sistemin nervor.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar si përfunduan këto karamele në ambient publik dhe nëse bëhet fjalë për neglizhencë, trafik të paligjshëm apo shpërndarje të qëllimshme. Policia ka sekuestruar mbetjet e produktit dhe po punon për identifikimin e burimit të origjinës, ndërsa tre vajzat ndodhen jashtë rrezikut për jetën, por nën mbikëqyrje mjekësore.