Gjurmët e padukshme dhe përcaktuese të shëndetit, që foshnja lë në çastin e parë të jetës

Ka çaste në historinë e jetës njerëzore që janë aq të vogla e aq të parëndësishme në dukje, sa kalojnë pa u vënë re. Një prej tyre është ajo paketë e vogël, e errët, e ngjitshme, që quhet mekonium, jashtëqitja e parë e një foshnje. Por ndërsa prindërit, të hutuar nga lodhja dhe emocionet, e heqin me kujdes nga pelenat, shkenca po mëson të lexojë në të një alfabet të ri: gjurmët e padukshme të shëndetit të një njeriu. Në këtë prizëm e ka shtjelluar në një analizë shteruese BBC.

Në vitin 2017, në laboratorin e patologjisë të Spitalit Queen’s në Londër, çdo mëngjes pritej posti si një ritual gati i shenjtë. Deri në 50 pako ngjinin në duart e teknikëve, secila duke mbajtur brenda të njëjtën gjë të çmuar: një mostër jashtëqitjeje të një të porsalinduri. Brenda një viti, 3,500 foshnja kishin “folur” përmes këtij materiali modest, duke u dhënë shkencëtarëve një rrugë të re për të kuptuar se si nis shëndeti i njeriut.

Në ditët e para të jetës, zorrët e foshnjës janë një territor i virgjër. Askush nuk e mendon se foshnja lind praktikisht sterile. Vetëm pas tre apo katër ditësh, mikrobet fillojnë të hyjnë me ritmin e tyre të qetë, duke sendërtuar komunitetin e parë biologjik që një njeri do të mbajë brenda për gjithë jetën. Dhe kjo “kolonizim” nuk është i rastësishëm, është një dramë e orkestruar mes natyrës dhe rrotës së lindjes, mes gjenit matern dhe mjedisit ku hap sytë foshnja.

Mikrobet janë arkitektët e parë të sistemit imunitar. Ato që vendosen në muajt e parë, sidomos bakteret si Bifidobacterium longum, përcaktojnë se si trupi ynë do të njohë mikun nga armiku, se si do të tolerojë ushqimin, se si do të shmangë alergjitë, inflamacionet, sëmundjet autoimune. Brenda atyre 1000 ditëve të para, mikrobioma vendos një firmë të fshehtë mbi jetën tonë, një firmë që mund të zgjasë për dekada.

Ndërsa dikur besohej se foshnja merrte bakteret e para nga vagina e nënës, sot dimë se origjina e tyre është më e thellë: traktit tretës i nënës. Dhe natyra është e drejtpërdrejtë në këtë proces. Siç thotë mikrobiologu Steven Leach, foshnja lind me fytyrën kundër zorrëve të nënës, duke marrë prej tyre atë që i nevojitet më së shumti: mikrobe që do ta mbrojnë nga infeksionet, që do ta mës­ojnë si të jetojë në një botë të gjallë me miliarda organizma të padukshëm.

Dallimi midis lindjes natyrale dhe prerjes cezariane është i fortë në këto ditë të para. Foshnjat e lindura natyralisht kanë më shumë gjasa të kolonizohen nga bakteret e dobishme të nënës, ndërsa ato me prerje cezariane shpesh marrin bakteret e mjedisit spitalor. Kjo nuk i bën këta fëmijë të sëmurë – prerja cezariane është shpëtimtare dhe e domosdoshme, por u heq atyre ekspozimin e parë natyror që evolucioni ka ndërtuar për miliona vjet. Dhe pasojat shfaqen subtilisht: rritje e rrezikut për infeksione të frymëmarrjes, alergji, astmë, madje edhe obezitet.

Një studim i gjerë tregoi se foshnjat, tek të cilat dominonte B. longum, kishin gjysmën e gjasave për t’u shtruar në spital për infeksione respiratore gjatë dy viteve të para të jetës. Këto baktere ushqehen me sheqernat e patretshëm të qumështit të gjirit, oligosakaridet, dhe prodhojnë acide yndyrore të zinxhirit të shkurtër, molekula që rregullojnë imunitetin dhe edukojnë trupin e foshnjës të mos e teprojnë me armët e mbrojtjes.

Nëse zorrët e të rriturve janë një univers anaerob, ato të të porsalindurve janë ende të mbushura me oksigjen, me një pH neutral, kushte ku bakteret e dëmshme lulëzojnë. Bifidobakteret janë pionierët që pastrojnë terrenin, ulin pH-në dhe përgatisin një ambient të sigurt. Pa to, zorrët e foshnjës janë si një territor i pambrojtur.

A duhet të ndërhyjmë? Kjo është pyetja e madhe. Disa kanë propozuar “mbjelljen vaginale”, ku foshnjat e lindura me prerje cezariane ekspozohen ndaj lëngjeve vaginale të nënës. Por rreziku i transmetimit të infeksioneve është i madh, dhe provat tregojnë se avantazhi i bakterieve të dobishme nuk buron nga vagina, por nga zorra e nënës.

Shkenca, në vend të kësaj, po kërkon mënyra të sigurta për të rigjeneruar mikrobiomën e munguar: me probiotikë specifikë, ushqyerje me gji, teknika të reja të inxhinierimit të mikrobiotës.

Sepse jashtëqitja e parë e foshnjës nuk është thjesht një funksion fiziologjik, është kapitulli i parë i autobiografisë së trupit. Në të lexohen fillimet e një udhe të gjatë: mënyra si do të reagojë imuniteti, si do të ndikohen mendja dhe trupi, si do të lidhet organizmi me botën e padukshme që e rrethon.

Në atë paketë të vogël të laboratorit londinez, në aq pak gram substancë, fshihej një hartë. Jo një hartë e fatit, por e potencialit. Dhe si çdo hartë, ajo nuk është paracaktim i së ardhmes, është vetëm orientimi i parë. Pjesa tjetër është udhëtim njerëzor, kujdes, kulturë, mjedis dhe dashuri.

Share With:
Translate »
84 Views