Marrëdhënie të tendosura! Pas dyerve të shtëpisë Reiner: Edhe vajza ishte e traumatizuar nga Nick
Djali i Rob dhe Michele Reiner nuk shkonte mirë me motrat e vëllezërit.
Sipas një burimi për Us Weekly, Nick, i cili është arrestuar dhe do të akuzohet për vrasjen e prindërve, kishte raporte “të paqëndrueshme” me familjarët, përfshirë edhe vëllain, Jake e motrën, Romy.

Romy në veçanti “është traumatizuar nga sjellja e Nick” ndër vite. “Ajo ka qenë gjithnjë e afërt me prindërit dhe duke parë dhimbjen e tyre të vazhdueshme për Nick e ka ndikuar shumë atë dhe familjen. Ka qenë tepër në jetën e tyre. Rob dhe Michele ishin të hapur për vështirësitë që kishin me Nick dhe ata që rrinin me familjen e përjetuan nga afër.”
“Zemërimi i Nick ishte i drejtuar nga prindërit e tij për shumë vite”, thotë burimi.

“Ata bënë gjithçka një prind mundet të bëjë për ta ndihmuar”, vijon më tej. “Edhe në vitet e tij të hershme, ata u përpoqën që ta ndihmonin. Më pas u kthye në një cikël ku kërkonin trajtime për të, e dëbonin ose ai ikte nga shtëpia, kthehej prapë.”
Sipas Page Six, 32-vjeçari ishte “egocentrik” dhe kishte “probleme të rënda sjelljeje” që në moshë të re.
Alanna Zabel, instruktorja e jogës e cila punoi me çiftin në fillim të viteve 2000, tha se Nick “ndërpriste thuajse të gjitha seancat e tyre” për “20 minuta ose më tepër” me “të bërtitura të forta.” Ajo këmbëngulte që çifti të përballej me problemet e djalit.

Sipas një tjetër burimi, Nick “i mbante mëri të atit” dhe “urrente veten që nuk ishte aq i talentuar, i dalluar apo i dashur.”
Romy i gjeti Rob dhe Michele Reiner të therur për vdekje në vilën e tyre gjatë fundjavës që shkoi, vetëm pak orë pasi kishin qenë në festën e Conan O’Brien për Krishtlindje.

Nick u arrestua vetëm disa orë më vonë pas mëngjesit të së dielës dhe ndodhet nën vëzhgim në paraburgimin e Los Anxhelesit, ku i është mohuar dalja përmes garancisë.
Avokati i Distriktit dhe policia kanë njoftuar se ai do të akuzohet për vrasje të dyfishtë me rrethana të veçanta. Sipas tyre, rrezikon dënim me burgim të përjetshëm e deri me vdekje, por kjo e fundit do të shqyrtohet.