‘Asnjë derë burgu nuk mund ta ndajë nënën nga djali’, i biri i Hashim Thaçit publikon foton e gjyshes duke ndjekur intervistën e ish-presidentit të Kosovës

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka ndarë një fotografi emocionuese të gjyshes së tij, Hyre Thaçi, teksa ndiqte në televizor intervistën e të birit nga Haga.

Në fotografi, nëna e Hashim Thaçit shihet e ulur përpara televizorit, duke ndjekur intervistën e tij në emisionin “Debat Plus”.

Krahas imazhit, Endrit Thaçi ka përcjellë një mesazh prekës për të atin dhe gjyshen e tij.

“Asnjë derë burgu nuk mund ta ndajë një nënë prej djalit të saj. Por, asnjë ekran nuk e zëvendëson as përqafimin mes tyre. Gjyshja po të pret çdo ditë, BAB. I kemi premtuar se do të vish pas 16 shtatorit. Edhe pak, edhe pak”, ka shkruar ai.

Mesazhi i tij vjen në prag të datës 16 shtator, kur pritet të shpallet vendimi përfundimtar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Fotografia dhe mesazhi i Endrit Thaçit kanë përcjellë një moment të ndjeshëm familjar, duke pasqyruar pritjen e familjes për përfundimin e procesit gjyqësor dhe rikthimin e Hashim Thaçit pranë tyre.

Share With:
Translate »
4 Views