Princi që sfidoi monarkinë për dashurinë: U martua me një të droguar dhe mama ‘single’
Norvegjia ka hyrë në një epokë të re mbretërore. Pas vdekjes së mbretit Harald V, djali i tij i vetëm, princi i kurorës Haakon Magnus, është bërë kreu i ri i shtetit me emrin Haakon VIII.
Ai ulet në fron në të pesëdhjetat, pas dekadash përgatitjeje dhe një historie personale që nuk ka qenë ajo që pritej nga një trashëgimtar mbretëror. Në Norvegji është përshkruar shpesh si “Haakon-i i arsyeshëm”: i ndjeshëm, reflektues dhe i vendosur që roli publik të mos e mbysë plotësisht jetën e tij familjare.

Fëmijëria e Haakon si trashëgimtar i fronit
Haakon lindi në Oslo më 20 korrik 1973, si fëmija i dytë i Harald dhe Sonja-s. Edhe pse motra e tij, Martha Louise, është dy vite më e madhe, rregullat e trashëgimisë që favorizoninin djemtë në atë kohë bënë që kurora t’i kalonte atij.

Vetë Haakon ka treguar se si fëmijë e kishte përjetuar statusin e tij më shumë si pengesë sesa privilegj. “Kur e kuptova? Kur e kuptova se kisha lindur në një rol të veçantë? Jo në kopsht, por në shkollë e kuptova se isha ndryshe”, kujtoi Haakon në një biografi të publikuar në vitin 2023, me rastin e 50-vjetorit të tij.
Ai ka treguar gjithashtu se pamundësia për t’u “shkrirë me turmën” e bënte nervoz dhe të prirur për shpërthime edhe për gjëra të vogla, si për shembull humbja e një gare sportive.
Momenti që ndryshoi gjithçka: Vdekja e gjyshit, mbretit Olav
Një nga momentet që e ndryshoi më shumë ishte vdekja e gjyshit të tij, mbretit Olav V, në vitin 1991. Haakon ishte vetëm 17 vjeç. Humbja nuk ishte vetëm ajo e një gjyshi. Ai humbi edhe lirinë që kishte pasur deri atëherë si “trashëgimtari i trashëgimtarit”. Siç ka treguar më vonë në biografinë e tij, pikërisht atëherë kuptoi se pjesa tjetër e jetës së tij do të përcaktohej nga detyra.

Çfarë arsimimi ka mbreti i ri?
Arsimimi i Haakon ishte ai që pritej nga një trashëgimtar modern. Ai studioi në Akademinë Detare në Bergen, u diplomua për shkenca politike në University of California, Berkeley, dhe më pas përfundoi studime master në London School of Economics and Political Science.

Ai ka kryer gjithashtu praktika pranë Kombeve të Bashkuara dhe programe në Ministrinë e Jashtme norvegjeze, ndërsa prej vitesh është përfshirë në tema që lidhen me mjedisin, detin, sportin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Haakon është një adhurues i sërfit dhe skive dhe ka përfituar nga shumë mundësi për t’u përfshirë në ekspedita me qëllime humanitare, sportive apo mbretërore.

Por pjesa më e komentuar e jetës së tij nuk ka qenë karriera. Ka qenë dashuria.
Mette-Marit ishte gruaja për të cilën sfidoi pritshmëritë. Marrëdhënia e tyre u prit me shumë kritika. Mette-Marit ishte nënë beqare dhe kishte një të kaluar që nuk përputhej me imazhin tradicional të një mbretëreshe të ardhshme. Kritikat erdhën jo vetëm nga qarqet monarkiste dhe fetare, por edhe nga vetë familja mbretërore; tezja e Haakon, princesha Ragnhild, e kritikoi publikisht martesën.

Para se të lidhej me Haakon, Mette-Marit ishte pjesë e skenës së festave dhe muzikës house në Oslo, në ambiente ku përdorimi i drogës ishte i pranishëm. Në vitin 2001, pak para martesës, ajo doli publikisht dhe kërkoi falje për të kaluarën e saj, duke thënë se kishte jetuar në një rreth ku kufijtë ishin shtyrë shumë dhe se e dënonte përdorimin e drogës.
Ata jetuan bashkë para se të martoheshin
Presioni ishte aq i madh sa Haakon ka treguar se në një moment shpërtheu në lot në një zyrë të Ministrisë së Jashtme. Megjithatë, ai bëri zgjedhjen e tij: u zhvendos të jetonte me Mette-Marit përpara martesës, një vendim që në atë kohë shkaktoi skandal në Norvegji.
Në këtë mënyrë ai tregoi se marrëdhënia ishte serioze. Në një farë mënyre, historia po përsëritej. Edhe mbretit Harald i ishin dashur dhjetë vite për të marrë miratimin e babait të tij, mbretit Olav V, si dhe të Parlamentit norvegjez, për marrëdhënien me Sonja-n, e cila nuk vinte as nga familje mbretërore dhe as nga aristokracia.
Haakon dhe Mette-Marit u martuan më 25 gusht 2001 në Katedralen e Oslos. Në ceremoni dhe më pas në ballkonin e pallatit ishte edhe djali i saj, Marius Borg Hoiby, atëherë katër vjeç.

Më vonë çifti solli në jetë vajzën e tyre, Ingrid Alexandra, e cila tashmë është trashëgimtarja e fronit. Ata kanë edhe një djalë bashkë, Princin Sverre Magnus.
Kur Haakon mbushi 50 vjeç, ai tregoi në biografinë Haakon: Stories of an Heir to the Throne për presionin që kishin përjetuar kur nisën të bashkëjetonin, si edhe për përshtypjen e fortë që Mette-Marit i kishte lënë herën e parë që e kishte parë në një bar.
“Ajo ishte si një dritë. Ishte sikur një dritë hyri në dhomë. Tha ‘Përshëndetje’ dhe më pas u largua. Më la një përshtypje të jashtëzakonshme. Kështu e kujtoj takimin tonë të parë. Mette nuk e kujton kështu. Unë mbaj mend momente, por jo gjithmonë i vendos në rend kronologjik. Ajo që mund të them me siguri është se më magjepsi dhe u magjepsa edhe më shumë kur folëm.”

Si flet për trashëgimtaren e tij, princeshën Ingrid
Haakon ka folur hapur edhe për peshën që kurora vendos mbi fëmijët e tij. Për Ingrid Alexandra-n ai ka thënë se ka më pak mundësi për të zgjedhur lirisht sesa vëllezërit e saj.
“Çmimi është pak më i lartë nëse zgjedh diçka ndryshe nga ajo që njerëzit presin,” ka thënë ai.
“Jeta ndoshta është pak më e veçantë për Ingrid. Ajo ka më pak mundësi. Marius dhe Magnus kanë shumë mundësi karriere; mund të bëjnë çfarë të duan. Ingrid mund të zgjedhë gjithashtu, por çmimi është pak më i lartë nëse zgjedh diçka ndryshe nga ajo që njerëzit presin.”

Vitet më të vështira për familjen
Vitet e fundit kanë qenë ndër më të vështirat për familjen mbretërore norvegjeze. Mette-Marit është përballur me probleme serioze shëndetësore për shkak të fibrozës kronike pulmonare dhe më pas iu nënshtrua një transplanti mushkërish. Në të njëjtën periudhë, reputacioni i saj u godit nga zbulimet mbi miqësinë e dikurshme me Jeffrey Epstein.
Haakon zgjodhi ta mbështeste publikisht. Ai reduktoi detyrimet zyrtare për t’u kujdesur për të dhe ishte në krah të saj edhe gjatë një interviste televizive ku ajo foli për lidhjet me Epstein.

Një tjetër krizë e rëndë ishte rasti i Marius Borg Hoiby, djalit të Mette-Marit, i cili është dënuar me katër vite burg për më shumë se 30 vepra penale, mes tyre përdhunim, dhunë ndaj një ish-partnereje, sulm dhe kërcënime.
Edhe pse Marius nuk është pjesë e Shtëpisë Mbretërore, ai mbetet pjesë e familjes së Haakon. Sfida e mbretit të ri do të jetë pikërisht ndarja e jetës së komplikuar familjare nga institucioni që tani përfaqëson.
Një mbret që e njeh mirë rolin e tij
Haakon nuk po ngjitet në fron pa përvojë. Për shkak të problemeve shëndetësore të babait të tij në vitet e fundit, ai ka shërbyer disa herë si regjent dhe ka përfaqësuar Norvegjinë në funksione të rëndësishme, përfshirë hapjen e parlamentit dhe delegacione ndërkombëtare.
Ai merr tashmë një kurorë që për dekada ka qenë e lidhur me një mbret shumë të respektuar, por në një moment më delikat për monarkinë: pas dënimit të Marius Borg, polemikave rreth Mette-Marit dhe një rënieje të popullaritetit të institucionit.

Mediat norvegjeze e kanë quajtur disa herë Haakon “të arsyeshëm”, por vetëm koha do të tregojë se me çfarë emri do të mbetet në histori.