Lufta për djalin bëhet edhe më e ashpër, Halle Berry akuzon Olivier Martinez: Kthehej i zemëruar dhe konfliktual

Lufta për kujdestarinë e djalit të tyre duket se ka marrë një tjetër kthesë të fortë. Halle Berry dhe ish-bashkëshorti i saj, Olivier Martinez, po përballen sërish në gjykatë, ndërsa të dy kanë bërë pretendime serioze lidhur me djalin e tyre 13-vjeçar, Maceo.

Në dokumentet e reja gjyqësore, të siguruara nga People, aktorja ka kërkuar rikthimin e marrëveshjes për kujdestari të përbashkët 50/50, duke akuzuar Martinez se po ndikon negativisht në marrëdhënien e saj me djalin.

Sipas Berry, Maceo shpesh kthehej në shtëpinë e saj pas qëndrimit me të atin “i zemëruar dhe konfliktual”. Aktorja pretendon gjithashtu se djali kishte nisur të përsëriste diskutime private mes saj dhe Martinez dhe të mbante anën e të atit.

Berry pretendon se sjellja e ish-bashkëshortit të saj ka ndikuar në autoritetin e saj si nënë dhe në gjendjen e përgjithshme të djalit. Ajo thotë se refuzimi i Martinez për ndërhyrje të hershme terapeutike dhe edukative ka bërë që Maceo të ketë më shumë vështirësi në shkollë dhe sjellja e tij të përkeqësohet.

Një tjetër pikë e përplasjes mes ish-çiftit është edhe marrëdhënia e Berry me partnerin e saj, muzikantin Van Hunt. Aktorja pretendon se Martinez nuk e ka pranuar lidhjen e tyre dhe se ka penguar terapinë familjare që Berry, Hunt dhe Maceo të krijonin një marrëdhënie më të shëndetshme si familje e përzier.

Por përplasja mes tyre është bërë edhe më e rëndë pas akuzave të Martinez.

Më herët, aktori kishte kërkuar kujdestarinë kryesore të Maceo-s dhe një urdhër të përkohshëm kufizues ndaj Berry-t, duke pretenduar se ajo e kishte kapur djalin për qafe gjatë një debati. Martinez pretendoi gjithashtu se ky nuk kishte qenë një incident i izoluar dhe se Berry kishte pasur edhe raste të tjera sjelljeje fizike ndaj djalit.

Aktorja i ka mohuar kategorikisht këto akuza përmes avokates së saj, e cila i ka cilësuar pretendimet e Martinez si “tërësisht të pabazuara dhe qëllimisht mashtruese”.

Ndërkohë, Martinez ka kërkuar që gjykata të rrëzojë kërkesën e re të Berry-t për rikthimin e kujdestarisë 50/50.

Në një zhvillim të fundit, Berry dhe Van Hunt u fotografuan duke kaluar kohë me Maceo në Los Angeles. Treshja vizitoi Sky Zone, së bashku me disa nga miqtë e adoleshentit.

Berry dhe Martinez u njohën në vitin 2010, gjatë xhirimeve të filmit “Dark Tide”. Ata u martuan në vitin 2013, por u ndanë vetëm dy vite më vonë. Divorci i tyre, i cili u shoqërua me një betejë të gjatë ligjore, u finalizua pas rreth tetë vitesh.

Share With:
Translate »
3 Views