Martin Short përlotet teksa kujton vajzën e ndjerë: Dhimbja e humbjes së saj do të jetë gjithmonë në zemrën time
Aktori i njohur Martin Short ka folur me emocione për humbjen e vajzës së tij, Katharine Short, tetë muaj pas ndarjes së saj tragjike nga jeta, duke përcjellë një mesazh të rëndësishëm për shëndetin mendor dhe nevojën për të mos e trajtuar atë si një temë tabu.
Ylli i serialit Only Murders in the Building mori pjesë të mërkurën në mbrëmje në galanë e organizuar nga Rare Impact Fund i Selena Gomez, ku prezantoi çmimin “Katharine Short Legacy Award”, të krijuar në nder të vajzës së tij, e cila ndërroi jetë në shkurt, në moshën 42-vjeçare, si pasojë e vetëvrasjes.
Gjatë fjalimit të tij, aktori pranoi se ky vit ka qenë jashtëzakonisht i vështirë për të dhe familjen e tij. Ai theksoi se humbja e Katharine e ka bërë të kuptojë edhe më shumë rëndësinë e trajtimit të shëndetit mendor si një çështje serioze shëndetësore.
“Ka qenë një vit shumë i vështirë për mua, pa dyshim”, u shpreh ai.
Martin kujtoi gjithashtu bashkëshorten e tij, Nancy Dolman, e cila ndërroi jetë nga kanceri, duke theksuar se si kanceri, ashtu edhe sëmundjet e shëndetit mendor, duhen kuptuar dhe trajtuar si sëmundje.
“Shëndeti mendor është thjesht një sëmundje, diçka që nuk duhet të fshihet në hije apo të shihet si një turp për familjen”, tha aktori.
Në momentin më prekës të fjalimit, ai foli për dhimbjen e përhershme që i ka lënë humbja e së bijës.
“Do të jetë shkatërruese për shpirtin tim për sa kohë të jem gjallë. Dhimbja e humbjes së vajzës sime do të jetë gjithmonë e pranishme në zemrën time”, u shpreh Martin.
Ai shtoi se njerëzit që i duam thellësisht nuk humbasin kurrë plotësisht, pasi dashuria për ta bëhet pjesë e jona.
“Dhe mendoj se kjo ndodh thjesht sepse atë që e duam thellësisht nuk mund ta humbasim kurrë, sepse gjithçka që duam thellësisht bëhet pjesë e jona”, tha ai.
Përtej dhimbjes personale, Martin foli edhe për punën dhe përkushtimin e së bijës, e cila punonte si punonjëse sociale klinike dhe ishte angazhuar në mbështetjen e komunitetit, veçanërisht në çështjet që lidhen me shëndetin mendor.
Pikërisht kjo trashëgimi frymëzoi krijimin e çmimit që mban emrin e saj. Sipas Selena Gomez, çmimi synon të nderojë njerëzit që kanë treguar të njëjtin përkushtim ndaj komuniteteve të tyre dhe kanë kontribuar në përmirësimin e mirëqenies mendore.