Babai i Meghan Markle nën hetim për abuzim seksual ndaj të miturve
Thomas Markle, babai 82-vjeçar i dukeshës së Sussex, Meghan Markle, është bërë objekt hetimi pas një denoncimi të bërë nga djali i tij, Thomas Markle Jr. Ky i fundit pretendon se ka zbuluar një sasi të madhe fotografish dhe videosh të paligjshme në banesën e të atit në Cebu të Filipineve.
Sipas deklarimeve të të birit, materialet ndodheshin në katër kuti të mëdha, si dhe në një telefon të vjetër celular. Ai pretendon se mes tyre kishte video që dyshohet se përmbanin abuzim seksual me vajza të mitura, si dhe imazhe të tjera me përmbajtje të paligjshme. Një prej fotografive, sipas tij, mund të jetë realizuar në banesën e mëparshme të babait në Rosarito të Meksikës.
Thomas Markle Jr. ka deklaruar se më 10 korrik ka njoftuar disa institucione ligjzbatuese, përfshirë policinë, FBI-në dhe Qendrën Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar në SHBA.
Ai tha se zbulimi i materialeve e kishte tronditur dhe se, pavarësisht marrëdhënies së afërt dhe ndihmës që i kishte ofruar të atit ndër vite, vendosi ta denonconte. Thomas Markle Jr. ka treguar se ishte kujdesur për babanë e tij edhe pas problemeve të rënda shëndetësore, përfshirë goditjen në tru që pësoi në vitin 2022.
Pas këtij zbulimi, ai ka deklaruar se nuk dëshiron të ketë më kontakte me të atin, përveç rastit kur thirret për të dëshmuar në kuadër të hetimeve.
Autoritetet në Filipine raportohet se ia kanë kaluar çështjen një grupi të specializuar hetimor, i cili merret me rastet që lidhen me mbrojtjen e grave dhe fëmijëve.