Pedro Pascal shpërthen në lot, kujton vetëvrasjen e nënës dhe dhimbjen e tij
Aktori i njohur Pedro Pascal ka ndarë një nga rrëfimet më të dhimbshme të jetës së tij, duke folur hapur për humbjen tragjike të nënës dhe vështirësitë personale me shëndetin mendor.
Gjatë një interviste për gazetën “The New York Times”, ai nuk arriti të fshehë emocionet teksa kujtoi periudhën e vështirë që ka lënë gjurmë të thella në jetën e tij.
Në intervistën e publikuar më 28 nëntor, aktori u ndal te vetëvrasja e nënës së tij, Verónica Pascal Ureta, në vitin 2000. Pascal ishte vetëm 24 vjeç kur ajo i dha fund jetës, një humbje që e ka shoqëruar ndër vite.
Duke reflektuar mbi dhimbjen e madhe që mund të përjetojë një person përpara se të marrë një vendim të tillë, aktori foli me shumë ndjeshmëri për vuajtjen psikologjike dhe fizike.

“Si mund ta imagjinosh sa e madhe duhet të jetë dhimbja që përjeton dikush, deri në pikën kur gjen forcën për t’i dhënë fund jetës?”, u shpreh ai, duke shtuar se ndjen vetëm dhembshuri për njerëzit që kalojnë situata të tilla.
Pas këtyre fjalëve, Pascal zbuloi edhe një pjesë të betejës së tij personale, duke pranuar se ka përjetuar momente të vështira psikologjike dhe se ka kërkuar ndihmë profesionale.
Aktori e përshkroi nënën e tij si një grua të dashur dhe një nënë të mirë, pavarësisht vështirësive që kishte kaluar gjatë jetës. Ajo ishte psikologe për fëmijë dhe ishte detyruar të largohej nga Kili në rini, përpara se të rritej dy fëmijët në një vend të huaj.
Pas kthimit të saj në Kili, Pascal, i cili në atë periudhë po përpiqej të ndërtonte karrierën si aktor në Shtetet e Bashkuara, kishte filluar të shqetësohej gjithnjë e më shumë për gjendjen e saj.
Ai tregoi se frika për humbjen e së ëmës e kishte shoqëruar prej vitesh, ndërsa distanca mes dy kontinenteve e bënte edhe më të vështirë situatën.
“Përpiqesha me dëshpërim të gjeja punë dhe të siguroja një rol në një serial televiziv, në mënyrë që të kisha mundësi ta sillja nënën time të jetonte me mua në SHBA”, kujtoi aktori.
Pas kësaj tragjedie, Pascal u rikthye në komunitetin teatror të Nju Jorkut, ku arti dhe aktrimi u kthyen në një mbështetje të rëndësishme për të. Ai pranoi se skena dhe krijimtaria e kishin ndihmuar të përballonte periudhat më të errëta, ashtu siç e kishin ndihmuar edhe gjatë fëmijërisë.
Një tjetër aspekt që ai ndau ishte përvoja e gjatë me psikoterapinë. Pascal tregoi se prej pjesës më të madhe të jetës së tij të rritur ka kërkuar ndihmë nga specialistët, duke përmendur edhe vështirësitë kronike me gjumin dhe përpjekjet për të përballuar humbjen e nënës.
Ai theksoi se procesi i shërimit nuk është gjithmonë i njëtrajtshëm, pasi ka periudha përparimi, por edhe momente kur duket sikur bëhen hapa pas.
Në fund të intervistës, aktori pranoi se arti e kishte ndihmuar të gjente një arsye për të vazhduar përpara.
“Pa asnjë dyshim. Më shpëtuan edhe kur isha i vogël. Më shpëtuan si fëmijë”, u shpreh ai për aktrimin dhe artet.