Vajzat e njohura shqiptare që kanë lindur binjakë
Ardhja në jetë e një fëmije është një bekim për prindin, është një krijesë e cila të fal emocion të veçantë e të paprovuar më parë. Por jo vetëm kaq, një vogëlush përreth shtëpisë suaj do të thotë edhe shumë përgjegjësi, përkujdesje dhe orë të tëra pa gjumë. Po nëse të gjitha këto do t’i shumëzonit me dy çfarë do të ndodhte?
Ndërkohë që e gjithë bota po flet për binjakët e Beyonce-s që do të lindin shumë shpejt, na vijnë ndërmend disa nga çiftet e showbiz-it shqiptar që janë bekuar duke u bërë prindër të binjakëve. Është fat të sjellësh në jetë dy engjëj njëkohësisht. Disa personazhe të njohur për ekranin kanë shtuar familjet e tyre duke sjellë në jetë dy vogëlushë të gjinisë së njëjtë apo edhe të ndryshme. Ndiqni në vijim se për cilët bëhet fjalë.
Hana Cakuli po gëzon çdo moment me binjaket Elena dhe Dorela, të cilat i solli në jetë në tetor të vitit 2015. Që prej asaj kohe, Hana ia ka dedikuar gjithë kohën e saj rritjes dhe edukimit të dy vogëlusheve të saj, duke u shkëputur përkohësisht nga muzika.


Olta Ahmetaj, balerina e njohur e “Dancing With The Stars” dhe Fabian Basha, ish pjesëtari i “Produkt 28”, janë prindër të dy vogëlushëve binjakë. Liam dhe Tristan erdhën në jetë në vitin 2014 duke lumturuar dy prindërit e tyre. Ata janë fëmijët e parë të çiftit të njohur.


Teuta Kurti është bërë nënë e binjakëve Danah dhe Dar, një vajzë dhe një djalë. Pas vajzës Aya, ajo solli në jetë vitin e kaluar edhe dy vogëlushët, të cilët e bënë akoma edhe më të lumtur familjen.


Fiks një vit pasi solli në jetë fëmijën e saj të parë, Valbona Çoba ka rijetuar emocionet e të bërit nënë, këtë herë me binjakë. Elira dhe Brendon, binjakët e supermodeles së parë shqiptare, erdhën në jetë dy vite më parë.


Gazetarja dhe prezantuesja e njohur e Top Channel, Beti Njuma, është gjithashtu nënë e fëmijëve binjakë. Beti është shprehur në intervista se ka përjetuar një emocion të veçantë kur i është dhënë lajmi se do të sillte në jetë jo një, por dy bebe. Sot Heldi dhe Frenkli janë dy djem të rritur.

Gazetarja Carmen Gjani, bukuroshja rumune e martuar me një shqiptar, u bë nënë në moshën 40-vjeçare, 12 vite pas shtatzënisë së parë. Aktualisht ajo punon si drejtoreshë kabineti në Ministrinë e Bujqësisë, por ne e kemi parë edhe si prezantuese e “Kënga Magjike” përkrah Ardit Gjebreas në vitin 2009. Rumunia solli në jetë dy vogëlushet, Irina dhe Kristina, dy vite më parë.
