Këngëtari i grupit të njohur shqiptar nga propozues me këngë në kryefamiljar me 5 anëtarë

Kush nuk i ka adhuruar këngët e Ritfolk, tekstet e tyre të ndjera, që kanë prekur zemrat e qindra vajzave? Saimir Braho dhe Altin Goci, dy solistët e grupit të njohur, spikatën me talentin e tyre në fillim të viteve ’90 duke bërë për vete të gjithë publikun që edhe sot i kujton me nostalgji hitet e tyre.

Sot, karrierën muzikore e vazhdojnë në drejtime të ndryshme. Altini, së fundi është bërë pjesë e jurisë së “C’est la vie” në Tv Klan, pa lënë mënjanë muzikën live apo edhe projektet e reja, ndërsa Saimiri, prej vitesh i angazhuar pranë Kishës Ungjillore me programe të njohura artistike në ndihmë të mijëra njerëzve në nevojë. Së bashku me bashkëshorten, Enkela, Saimiri ndjek besimin protestant prej shumë vitesh dhe u shërben fëmijëve të komunitetit.

Sot, të ftuar në “Pasdite në Top Channel”, Saimiri dhe Enkela rrëfyen për punën e tyre pranë kishës, projektet që kanë në shërbim të fëmijëve, si edhe jetën e tyre si prindër të tre fëmijëve, Adrieli,  Anja dhe Aroni.

Saimiri dhe Enkela kanë plot 14 vjet martesë. Kohën kur janë njohur e kujtojnë me nostalgji, si dy studentë të regjisurës, që fati i bashkonte vazhdimisht të punonin për të njëjtin projekt: “Ne kemi filluar studimet për regji në vitin 1996 dhe për tre vjet kemi qenë gjithmonë bashkë. Aty nga viti i tretë ma tha dhe ia thashë”, – rrëfen me të qeshur Enkela.

Saimiri kujton që në atë kohë, studentët e Arteve, meqenëse ishin të paktë në numër, shpeshherë kombinoheshin për t’i bërë bashkë projektet artistike. Se si ndodhte që ai dhe Kela bashkoheshin shumë shpesh në të tilla projekte. Natyrisht, më vonë e kuptuan cila ishte arsyeja e këtij bashkimi: “Edhe pse ishim pak në një kurs, na duhej të ndaheshim që të mund të bënim projektet. Ne na qëllonte të ishim vazhdimisht bashkë, edhe pse jemi ngatërruar shpesh. Andej nga viti i tretë e morëm vesh arsyen e këtij bashkimi”, – tregon Saimiri.

Megjithatë, ajo që ia prishi mendjen me të vërtetë Enkelës ishte teksti i një kënge të grupit, e shkruar enkas për të. “Do të them diçka” ishte shkruar enkas për historinë e tyre të dashurisë dhe këtë Saimiri e tregon pa drojë, madje ai tregon edhe se tekstin ia kishte dhënë Kelës ta lexonte në atë kohë: “Ma dha dhe më tha dëgjoje. Ishte një mënyrë se si po ma shprehte. Kur e dëgjova, thashë ‘po kjo qenka shkruar për mua’.

Në fakt, kishte të drejtë, madje edhe aty ku mes vargjeve shkruhej “Më plëqen kur nxehesh pak”. Edhe atë Saimiri e kishte shkruar për të.

Pyetjes nëse pas këngës, Kela tha “Po” pa u menduar, të dy e konfirmuan. Ishte vendosur gjithçka, ata ishin prirur për të qenë bashkë.

Share With:
Translate »
768 Views