Shtatzania multiple dhe kujdesi që duhet treguar

Incidenca e shtatzanive multiple është në rritje në dekadat e fundit. Për shembull, në intervalin 1980 – 2005, incidenca e binjakëve në SHBA ka pësuar një dyfishim, ndërkohë që incidenca e tripletëve është rritur 6 herë.

Pse kjo rritje e incidencës së shtatzanive multiple?
  1. Arsyeja e parë është se gjithnjë e më shumë femrat planifikojnë shtatzaninë pas moshës 30 vjecare. Dihet që probabiliteti për të patur shtatzani multiple është më i lartë se në moshat më të reja se 30 vjec.
  2. Arsyeja tjeër, lidhet me teknikat artificiale të riprodhimit – Artificial reproductive techniques – ART (stimulim ovulacioni, inseminim artificial – IUI dhe Fertilizim in Vitro – IVF). Të gjitha këto teknika mbartin një probabilitet të rritur (krahasuar me koncepsionin spontan) për të dhënë shtatzani multiple.

Si formohen binjakët?

Binjakët formohen në 2 mënyra:

Binjakët identikë formohen nga e njëjta vezë e fertilizuar që ndahet në dy. Binjakët identikë jane të njëjtë dhe përmbajnë të njëjtin material gjenetik. Prandaj quhen edhe identikë. Shumica e këtyre binjakëve ndodh në mënyrë spontane.

Binjakët jo identikë ndodhin kur 2 vezë të vecanta fertilizohen nga 2 spermatozoide të vecantë. Këta binjakë nuk janë identikë nga ana gjenetike – ngjajshmëria mes tyre është si ajo mes vëllezërve / motrave jo binjake. Në një pjesë të rasteve është vënë re një predispozicion gjenetik për të lindur binjakë. Në shumicën e rasteve këto binjakë rrjedhin nga trajtimet e infertilitetit (stimulim ovulacioni, inseminim artificial – IUI dhe Fertilizim in Vitro – IVF).

Shtatzanitë multiple (>2 fetuse) mund të jenë identikë, jo identikë ose kombinime mes tyre.

Të kesh një shtatzani multiple …

Në të kaluarën, informacioni se kemi të bëjmë me një shtatzani binjake merrej në momentin e lindjes … pra papritur. Tashmë, përkundrazi, për shkak të ekografisë ky informacion merret që në fillim të shtatzanisë.

Shtatzania multiple bën që simptomat e shtatzanisë të jenë më intense. Kështu ju mund të përjetoni:

  • Rritje të shpejtë në peshë në tremujorin I.
  • Nauze dhe të vjella me intensitet të rritur.
  • Dhimbje / shtrëngime / tendosje më të forta të gjoksit.

Pas konfirmimit të faktit se kemi të bëjmë me më shumë se 1 fetus, ju do të keni nevojë për kontrolle më të shpeshta gjatë shtatzanisë. Kjo shpjegohet me faktin se shtatzania multiple është më e predispozuar për komplikacione. Ndër këto komplikacione mund të përmendim:

  • Abort
  • Lindja para kohe (pre-mature).
  • Hipotrofi fetale (rritje më e ngadaltë në peshë e fetusit / fetuseve) – IUGR.
  • Pre-eklampsi
  • Diabet gestacional

Kontrollet më të shpeshta ulin rrezikun për komplikacione.

Share With:
Translate »
1404 Views