I dashur prind i padivorcuar, mos guxo të thuash që “Unë jam me fat!”

I dashur Prind i Padivorcuar,

Mos më thuaj unë jam me fat që mund të shkëputem një natë nga fëmija im. Nga të gjitha gjërat që më kanë mërzitur më shumë në dhjetë muajt që po kaloj si një grua e vetme, bashkë-prindëruese dhe e divorcuar, kjo është më rraskapitësja, ajo që nuk e kam dashur kurrë.

Mos më thuaj unë jam me fat sepse mund të bëj pushim!

Sepse, ndërkohë që mendon se po shijoj një natë të lumtur e të qetë pa fëmijë rrotull, pa paguar babysitter as gjë, po përpiqem me të gjitha forcat që të “shijoj” atë që po bëj për të mbushur kohën time të kotë pa fëmijët e mi.

Po përpiqem të shmang realitetin e trishtë se duhet të kthehesh në shtëpi, në një shtëpi të zbrazët dhe për 15 vitet e ardhshme do ta shpenzoj gjysmën e jetës time në këtë mënyrë, duke pritur.

Mos më thuaj që unë jam me fat që po bashkë-prindëroj në distancë.

Jo, të lutem, ndalo sepse ti nuk e di se çfarë më bën mua ky gjysmë prindërim? Më bën 50/50 fajtore. Më jep 50/50 në ankth që të mos e di se çfarë po bën vogëlushja ime trevjeçare, nëse ka shkuar në shtrat në kohë ose nëse ka ngrënë darkën e saj dhe i ka larë dhëmbët.

Më jep 50/50 mëngjese, ku zgjohem pa e patur fëmijën tim në shtëpinë time dhe 50/50 mëngjese duke shmangur shikimin drejt dhomës së saj të gjumit, me krevatin e saj të zbrazët dhe me lodrat e paprekura.

Më jep 50/50 netë ku nuk jam në gjendje të lexoj një histori të bukur për fëmijën tim në divan, të dyja të mbuluara me batanijen tonë të preferuar. Më jep 50/50 netë ku zgjohem në mes të natës sepse mendoj se e dëgjova zërin e saj, duke kuptuar thjesht se jam vetëm fillikat.

Mos më thuaj se jam me fat sepse mund të bëj një gjumë të qetë kur është rradha e të atit që t’i mbajë.

E di çfarë do të doja?

Fëmija im, të cilin e rrita brenda trupit tim dhe lindi vetëm tre vite më parë, të më zgjojë në mes të natës, kur sapo ka parë një ëndërr të keqe apo se po i dhemb fyti.

Do të doja të zgjohesha në mëngjes dhe ta ledhatoja vajzën time dhe ajo e përgjumur të ngrihet e të dyja të “luftojmë me “argumente” se përse duhet t’i lajmë dhëmbët aq herët.

Unë nuk do të doja ta shihja asnjëherë dhomën e saj bosh, me shtratin e zbrazët dhe me lodrat e sistemuara në kuti.

Mos më thuaj që unë jam me fat që jam ndarë ndërkohë që fëmija im është ende kaq i vogël!

Sigurisht, asaj nuk do t’i kujtohen shumë këto ditë. Por mua do të më kujtohet të gjitha. Unë do të kujtoj se çfarë ishte të dorëzoja fëmijën tim, e cila nuk dinte të përdorte një telefon celular për të më telefonuar nëse kishte nevojë për mua, një njeriu që më urrente më parë e tani më shumë, bashkëshortit tim.

Unë do ta kujtoj gjithmonë se sa e zbrazët u ndjeva të mos kisha mishin dhe gjakun tim në shtëpinë time sapo kthehesha nga puna. Unë do ta kujtoj se sa e vështirë ishte ta mësoja vajzën time si të kryente nevojat në oturakun e vogël kur ajo ishte me mua vetëm gjysmën e kohës, duke shpresuar se babai i saj do të zbatojë të njëjtën taktikë si unë.

Unë do ta kujtoj gjithmonë dhimbjen e të mos qenit në gjendje për t’i dhënë puthjen e natës së mirë çdo natë dhe për t’i thënë edhe një herë “Të dua pa masë”.

Mos më thuaj se sa me fat jam që mund t’i bëj gjërat “ashtu siç dua” në shtëpinë time!

A ke provuar ndonjëherë të prindërosh vetëm, e vetme pa askënd? A ke provuar ta bësh një fëmijë gati për në shkollë, ndërkohë po përgatitesh vetë për një punë të madhe? A ke gjetur më në fund se çfarë funksionon për fëmijën tënd që t’ju dëgjojë për gjërat që i thua më mirë dhe pastaj të zhbëhet çdo gjë në një fundjavë të shpejtë sapo fëmija yt shkon tek babai?

Mos më thuaj që jam me fat!

Ashtu si ti, unë u martova me dikë që dikur e desha shumë. Kam pasur një dasmë të madhe, të bukur, tradicionale me të bardha, ku dukesha shumë bukur dhe buzëqeshja në çdo foto timen, por gjithçka më ka shkuar dëm.

Ashtu si ti, dikur kisha një shtëpi ku vajza ime kishte një mami dhe babi që flinin nën të njëjtën çati dhe madje edhe në të njëjtin shtrat.

Ashtu si ti, i falënderoja yjet dhe perënditë që ndonëse martesa ime ishte e vështirë dhe e mbushur me beteja, ishte dikush aty për të më ndihmuar kur mëmësia dukej se nuk kishte si të bëhej më e vështirë se aq.

Ashtu si ti, unë doja të isha Mami më i mirë në botë për këtë bekim të ëmbël që kisha në krahë. Por tani kam vetëm gjysmën e kohës për ta realizuar këtë detyrë të shenjtë.

Nuk qëllova me fat si ti! Përfundova e divorcuar…

Share With:
Translate »
942 Views