Pasi pritën 10 vjet, bëhen prindër të fëmijës më të vogël në botë, vetëm 310 gramë
Pasi u përpoq për të sjellë në jetë një fëmijë për 10 vjet me radhë, një nënë turke nga një provincë e Konya-s në Turqi, ka sjellë në jetë fëmijën më të vogël në botë, të mërkurën, që peshon vetëm 310 gramë.
Foshnja ka lindur në javën e 24-të, 16 javë me herët – pas një presioni të lartë gjaku dhe komplikacioneve të tjera që shfaqi shtatzënia. Ky vendim i vuri edhe doktorët në vështirësi, të cilët, përmes një operacioni, vendosën të kryenin lindjen e parakohshme në spitalin ‘Selçuk Medical Faculty’.
Prindërit Mehmet dhe Saniye Karacan, të cilët kanë kaluar tre fertilizime in vitro përgjatë 11 vjetëve martesë, janë shumë të lumtur për Tuğra-n, që përshëndeti botën një ditë më parë.
“Kam një gëzim të trishtë”, – tha e ëma, Saniye Karacan, për agjencinë Anadolu. “Nuk mund ta kontrolloj veten.”
Doktorët shpresojnë se Tuğra do të mbijetojë nëse kalon një rrezik kritik me mushkëritë: “Nëse problemi me mushkëritë do të zgjidhet, shanset për të jetuar janë të larta”,- tha Dr. Ali Acar, nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin Necmettin Erbakan.
“Fëmija më i vogël në botë peshonte 280 gramë (9.9 ounces). Pacienti ynë peshon rreth 300 gramë. Nëse jeton, do të jetë një nga foshnjat më të vogla të lindura në botë”, – tha Acar.
Nëna e foshnjës, që është akoma në spital, tha se as ajo nuk e ka parë akoma fëmijën e saj, por është shumë e lumtur.
“Sapo të dal nga spitali, do të shkoj ta shoh fëmijën tim”, – tha ajo.