Gazetarja e njohur flet për humbjen e të atit nga kanceri: ‘Mora analizat, u ula dhe qava!’
Pasditen e djeshme, e ftuar tek ‘Rudina’ në Tv Klan ishte gazetarja e njohur Anila Basha bashkë me nënën e saj. Të dyja, folën gjatë për betejën kundër sëmundjes që vetëm një muaj më parë i mori jetën babait të gazetares.
Ndonëse mjekët i dhanë vetëm 6 muaj jetë që nga koha e diagnostikimit, ajo tregoi se falë kurajos së tij dhe përpjekjeve të gjithë familjes ja dolën ta kishin pranë për 4 vite të tjera.

“Kur mjeku më dha për herë të parë analizat e babit dhe më tregoi se ishte një kancer i avancuar në stadin e katërt, në momentin e parë nuk i tregova familjes. Mora analizat, u ula, qava shumë se e dija çfarë do të ndodhte më pas. Mjekët më thanë: Lëri lotët, vazhdo nga puna. Duhet të jesh e fortë psikologjikisht. Kjo sëmundje sot nuk ka më moshë, nuk bën dallime, por e gjitha duhet të fillojë nga ushqimi. Babi me mua nuk e pranonte këtë historinë e largimit.
Ngushëllimi i vetëm është që motra ime që jeton në Greqi javën e fundit para se të largohej babi erdhi dhe nuk u largua dot më.”- u shpreh ajo, e cila përveç rrëfimit personal bëri thirrje publike të gjithë prindërve të cilët mund të shfaqin shqetësime sado të vogla shëndetësore, t’u tregojnë fëmijëve.

“Babi ishte i shqetësuar para 4-5 vjetësh dhe ngulmonte të mos më shqetësonte dhe e shtynin nga dita në ditë duke mos bërë asgjë deri në momentin që nuk mbante më. Nëse ne do ta kishim kapur këtë sëmundje më herët dhe jo në stad aq të avancuar mund të kishim fituar më shumë kohë. Kështuqë të dashur fëmijë dhe prindër kudo që jeni, nëse keni shqetësimin më të vogël mos hezitoni të merni kalamjat në telefon dhe ti tregoni e të shkoni të vizitoheni se është gjëja më elementare që duhet të bëni për të fituar qoftë edhe pak gjë”
Çfarë preku më shumë publikun dhe gjithë audiencën ishte amaneti që i ati i gazetares kishte lënë para se të ndahej nga jeta.
“Ne si ju kemi qëne dhe ju si ne do të bëheni”, është amaneti që babi i la motrës që ta shkruante si epitafi te varri i tij. Unë u habita kur e dëgjova. Ai kërkoi gjithashtu që gurin të mos e kishte të rëndë dhe mbi varr të mbilleshin lule dhe bar, nuk donte një varr klasik.”- përfundoi mes lotësh Anila.
/Anabel.al