Diabeti tek fëmijët, ç’duhet të kenë kujdes prindërit
Në të gjithë botën, incidenca e diabetit është në rritje, dhe rrjedhimisht kështu është edhe diabeti mes fëmijëve. Shumica e fëmijëve janë të prekur nga diabeti i tipit 1. Megjithatë, numri i fëmijëve dhe të rinjve të prekur nga diabeti i tipit 2 ka filluar të rritet, veçanërisht në Amerikë. Përafërsisht 90% e të rinjve me diabet vuajnë nga lloji 1 dhe numri i pacientëve që janë fëmijë varion nga vendi në vend.
Ashtu si të rriturit, një numër simptomash mund të japin paralajmërim të hershëm të zhvillimit të diabetit, si përshembull: etje; lodhje; humbje peshe; urinim i shpeshtë. Tek fëmijët, simptomat specifike mund të përfshijnë: dhimbje stomaku, dhimbje koke dhe probleme të sjelljes. Pas diagnozës, një fëmijë zakonisht do t’i referohet një specialisti të diabetit.
Çfarë mund të bëjnë prindërit e fëmijëve me diabet? Mbajtja e një syri të rreptë në nivelet e glukozës në gjak të fëmijës, duke shmangur uljet dhe ngritjet. Prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm se fëmijët me diabet kanë kufizime diete dhe se nivelet e aktivitetit të tyre duhet të monitorohen nga afër. Fëmijët me diabet mund të kalojnë një fëmijëri dhe adoleshencë gati normale, nëse e mbajnë sëmundjen nën kontroll.
Është e domosdoshme për të kontrolluar diabetin siç duhet, për të shmangur komplikimet. Menaxhimi fokusohet në monitorimin rutinor të sheqerit në gjak, terapinë e insulinës dhe rregullimin e një diete të shëndetshme. Mbajtja e sheqernave të gjakut brenda një diapazoni normal, mund të zvogëlojë rrezikun e problemeve afatgjata shëndetësore që lidhen me kontrollin e dobët të diabetit. Sa i takon sezonit të verës, kjo është një periudhë tepër aktive për fëmijët, pasi ata ndëpresin rutinën e tyre të përditshme për të kaluar disa ditë në plazh apo mal.
Për fëmijët me diabet, ky aktivitet duhet të monitorohet rreptësisht nga prindërit për të shmangur çdo problem të mundshëm shëndetësor. Dr. Petrit Hoxha, mjek endokrinolog pediatër, i kontaktuar nga gazeta “Shëndet plus”, jep disa këshilla për prindërit që kanë fëmijë me diabet.
Doktor, a mund të themi se është rritur numri i fëmijëve me diabet gjatë këtyre viteve të fundit edhe në vendin tonë?
Patjetër që ka shtim. Në përgjithësi, në çdo 10 vjet, dyfishohen shifrat e fëmijëve me diabet deri në moshën 5- vjeç. Kurse fëmijët më të mëdhenj, sidomos ata në periudhën e pubertetit, gjithashtu afërsisht e dyfishojnë shifrën. Ky është trend në të gjithë botën.
Cili është kujdesi që duhet të bëjnë fëmijët me diabet gjatë kësaj periudhe?
Vera sjell jo vetëm ndryshime të temperaturës, por domosdoshmërisht kërkon/përkon dhe me zhvendosjen e familjeve nga zonat ku jetojnë, drejt bregdetit. Zhvendosja është një fjalë goje, por për një diabetik është ndërrimi i mënyrës së jetesës i cili mund të atakohet shumë thjesht në gjëra elementare dhe ndoshta jo të menduara mirë.
Do të lëvizë një diabetik drejt plazhit;
Atëherë duhet të bëjmë kujdes se dieta e tij nuk duhet cënuar; orari i tij gjatë transportit nuk duhet cënuar; orari i të ngrënit; përcaktimi i glikemisë duhet të vazhdojë njëlloj. Për më tepër duhen përforcuar masat që e mbrojnë fëmijën, nga rënia e sheqerit në plazh se aty do luajë gjithë ditën, do bëjë not. Pra, është i ekspozuar nga rënia e sheqerit sepse do harxhoje energji gjatë notit. Nuk është në tavolinë duke bërë mësimet, por është në plazh duke bërë not, dhe shanset për të rënë sheqeri janë të mëdha. Atëherë kjo familje duhet të ketë pranë aparatin që mat sheqerin, paketat apo tabletat e sheqerit; duhet të ketë pranë një glikogeni që është një hormon i cili injektohet në momentin kur fëmija bën hipoglicemi dhe ngre sheqerin menjëherë.
Kurrë nuk mund të lejojmë një fëmijë të futet në det i pashoqëruar, sepse mund të pësojë rënie sheqeri dhe rënia e sheqerit fillimisht sjell një nervozizëm, pastaj sjell një skuqje të fytyrës, pastaj sjell djersë të trupit, pastaj humbje ekstreme të fuqisë fizike dhe pastaj humbet ndjenjat, bie në koma. Të gjitha këto mund të ndodhin kur fëmija është jashtë vëmendjes së kujdestarëve, prindërve etj. Prandaj të afërmit duhet të jenë absolutisht të pranishëm në çdo çast të një fëmije diabetik. Mua më pëlqen që fëmija do të lozë sporte të ndryshme, në ujë, në rërë por gjithmonë të programuara. Duhet ti japim diçka për të ngrënë, para se të fillojë lojën apo notin, sepse do harxhojë energji; do t’i japim sapo mbaron sportin ose notin përsëri diçka tjetër, një njësi-dy njësi karbohidrate sepse e harxhoi atë që hëngri gjatë sportit. Dhe do të kontrollojmë sheqerin. Kërkohet që transporti të shoqërohet me një çantë frigoriferike ku do vihet insulina, pasi insulina po u ekspozua ndaj temperaturave të larta humbet efektin. Kërkojmë që gjatë ditëve të plazhit të matet sheqeri 4 herë në ditë.
Ushqyerja
Vera kërkon më shumë lëngje, kjo do të thotë që temperatura e lartë bën që trupi të nxisë djersën. Bashkë me djersën, humbet dhe natriumin. Nëse fëmijët qëndrojnë në det, në diell, pa kriter, mund të pësojnë atë që quhet goditje nga dielli. Por është tjetër gjë tek fëmijët pa diabet dhe tjetër gjë tek një fëmijë me diabet. Pra, dieta duhet të jetë e mbështetur tek zarzavatet, te proteinat dhe pa harruar që karbohidratet janë bazat ditore e ushqimit, janë 50-55% e kalorive.
Sa të përgatitur janë prindërit?
Jo të gjithë kanë nivelin e mjaftueshëm të edukimit për diabetin. Kur fëmijët rriten, fillojnë të futen në fazën e pubertetit, ata janë bashkëpunëtor me mjekun për mjekimin e diabetit. Por, kur janë më të vegjël, janë prindërit ata që marrin përsipër menaxhimin e sëmundjes. Por unë them që me njohuritë që kanë prindërit mund ta menaxhojnë periudhën e pushimeve në një mënyrë të thjeshtë dhe sa më të lehtë për fëmijën, pa krijuar turbullime në shëndetin e tij. Edhe njëherë dua të bëj thirrje: Kujdes! Mos i lini fëmijët diabetik vetëm, sidomos në det. Mbrojini fëmijët në këtë periudhë nga rënia e sheqerit sepse harxhojnë shumë kalori me aktivitet fizik. Përcaktoni sa më shpesh nivelin e glicemisë që të dini si dhe sa ta mjekoni; dhe mos i mbani insulinat në ambiente të hapura sepse në temperaturë mbi 28-30 gradë ato humbasin efektin. Kështu çdo gjë do të shkoj mirë dhe pushimet do të jenë të lumtura.