Letra e një nëne; “Mos ua ndani gjërat me ‘thikë’ fëmijve, kthimi apo vajtja për herë të parë në shkollë i ‘shkund’ emocionalisht
Kthimi në shkollë apo vajtja në klasë të parë shoqërohet me jo pak luahtje emocionale tek fëmijët. Emocionet e fillimit të shkollës fillojnë gjatë dy javëve të fundit të pushimeve verore dhe vërtiten rreth shkallës së vështirësisë së lëndëve, ngarkesës ende të panjohur me detyra, përcaktimi i mësuesve të lëndëve, te “karakteristikat” negative të disa mësuesve të njohur nga viti i kaluar, te shokët e klasës dhe sjellja e tyre, te “pikat e dobëta” të vetë fëmijëve, etj.Prindërit nga ana tjetër, shqetësohen dhe ndoshta përjetojnë ankth deri diku, pasi nuk e dinë apo nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh. Në raste të tilla, prindërit është mirë që të përpiqen të kuptojnë se çfarë po përjetojnë fëmijët dhe t’u ofrojnë ndihmën dhe mirëkuptimin e mbështetjen e tyre. Ne prindërit presim që fëmijët të vijnë te ne e të bisedojnë duke na treguar se çfarë po ndodh me shkollën dhe me ta. Në rastet kur kjo gjë nuk ndodh, prindërit duhet të marrin iniciativën në mënyrë krijuese dhe me vendosmëri. Qoftë edhe një bisedë në kolltuk me fëmijën është një fillim i mirë. Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm që ta sjellin bisedën ngadalë e shtruar deri te pika ku fëmija të ndihet rehat dhe i sigurt për të folur për ndjesitë, frikërat dhe pasiguritë e tij. Ka fëmijë që qetësohen duke shijuar një ushqim që u pëlqen, disa duke parë një film, të tjerë duke dëgjuar muzikë dhe një pjesë më e madhe qetësohen duke luajtur. Fëmijët kanë nevojë që ne prindërit të jemi të duruar dhe të kuptueshëm me ta. Ata kanë nevojë që të dëgjojnë fjalë vlerësuese (por të vërteta) dhe ta ndiejnë dashurinë tonë për ta. Koha e përshtatjes së fëmijëve me shkollën shkon nga 2-5 javë. Nëse ndodh që fëmijët tanë vazhdojnë të jenë të turbulluar përtej këtij kufi ri kohor, është e domosdoshme që prindërit të bisedojnë me mësuesin/en dhe ta vënë në dijeni për çfarë po ndodh, pasi vetëm kështu do të mund të kuptohet situata dhe do të gjendet një zgjidhje në të mirë të fëmijëve. Ndodh shpesh që edhe krejt pa dashje, ne prindërit të pleksemi në punët dhe angazhimet tona të shumta dhe lëmë pas dore gjërat më të rëndësishme, ato që kanë të bëjnë me fëmijët tanë. Mirërritja, edukimi, arsimimi i fëmijëve tanë janë prioriteti ynë dhe duhen konsideruar si të tillë. Ndërkohë, i gjithë procesi jetësor është një shkollë më vete dhe gjithkush do të marrë shumë mësime që do të jenë të bukura, por pa dyshim që disa do të jenë edhe të vështira. Një gjë është e sigurt, që sikurse ne, edhe fëmijët tanë do të mbajnë mend ato “mësimet e vështira”, të cilat të sikletosin deri në palcë. Arsyeja përse e theksoj këtë fakt të vërtetë kaq shumë, është se procesi i të mësuarit në shkollë nuk është një ngjarje apo fenomen i veçuar. Ai është pjesë e të mësuarit mbarëjetësor
ATA DUHET TE JETOJNË FËMIJËRINË E TYRE
Ndarja me thikë nga lodrat është gjëja më e padrejtë që do t’u bënim vogëlushëve tanë. Vajtja në shkollë nuk është ndarje nga lodrat, shëtitjet, akulloret dhe gjërat që bënin ata deri para ditës së fillimit të shkollës. Dita ka plot orë, edhe për të mësuar, edhe për të luajtur. Ne duhet t’i ndihmojmë të vendosin prioritete në ditën e tyre. Nuk ka gjë më të keqe sesa një fëmijë që përpëlitet me gjumin në mëngjes kur i duhet të shkojë në shkollë dhe syçkat e tij janë ende të lodhur nga mungesa e gjumit. Mama, mos i bëni fëmijët të jetojnë stilin e jetës së një të rrituri që fle pranë mesnatës. Fëmijë të ngopur me gjumë ka vetëm nëse ata shkojnë herët në shtrat. Kështu, dita fillon plot energji dhe me humorin e duhur për të gjithë familjen. pjesë e të mësuarit mbarëjetësor.
NGA EDI GOGU