Rudina Dembacaj rrëfen si e përjetoi tërmetin: Mu kujtua babi im i sëmurë
Rudina Dembacaj gjatë monologut të saj në emisionin “Mos i Fol Shoferit”, ka vendosur të flasë se si i përjetoi momentet e vështira të tërmetit dhe sa ishte frikësuar për vajzën e saj të vogël. Më tej moderatorja tregon se çfarë mendimesh i kanë ardhur në ato momente. Në fund ajo i bën thirrje të gjithvë të solidarizohen me njerëzit e prekur nga tërmeti.
“Ishte shumë e vështirë. Unë tashmë nënë e vetme me vajzën time 3-vjeçare në shtëpi, rreth 10 minuta para kisha shkuar tek dhoma e saj për ta parë nëse ishte mirë. U ktheva në krevatin tim, fjeta dhe më zgjoi lëkundja e tmerrshme. Edhe tani e kujtoj se sa shumë po dridhesha dhe sa shumë frikë kisha vetëm për vajzën time. Që në atë moment më janë kujtuar të gjitha nënat e vetme, njerëzit e sëmurë, sepse babai im është i sëmurë, më janë kujtuar të gjithë njerëzit që jetojnë vetëm, më janë kujtuar të gjithë fëmijët e Shqipërisë, tmerrin që kanë përjetuar ata. Ndoshta nuk jam e zonja për të bërë ndonjë solidaritet të përgjithshëm por do doja të ngrija gjithë zërin tim për ndihma. Unë bëra aq sa munda dhe do doja që gjithësecili prej nesh ta bënte këtë gjë. Mund të kisha zgjedhur të ndihmoja në heshtje, por e bëra publike pikërisht për t’u ndërgjegjësuar sepse mua më kishte zënë një mpirje dhe ankth i tmerrshëm dhe nuk po ndihmoja askënd. Në momentin që pashë se kolegët e mi po ndihmonin aty u zgjova, truri im i zgjua dhe thash po, duhet të ndihmojmë. Jemi afër festave të fundvitit edhe do doja që secili prej nesh, jo vetëm nëpër televizione, jo vetëm nëpër rrjete sociale, jo vetëm në mediat e shkruara të solidarizohemi. Por me të vërtetë të solidarizohemi”!