Rritet numri i rasteve të reja dhe 2 humbje të tjera jete nga Covid-19 në Shqipëri

Vijon që të rëndohet bilanci nga koronavirusi në Shqipëri. Në 24 orët e fundit janë shënuar dy viktima të tjera, një 70 vjeçar nga Shkodra dhe një 54 vjeçar nga Tirana duke e çuar në total numrin e personave që kanë ndërruar jetë në 55. Kjo është dita e tretë radhazi që shënohen nga dy viktima. Dy personat që ndërruan jetë në 24 orët e fundit, sipas ministrisë së Shëndetësisë ishin të konfirmuar me Covid19 dhe me disa sëmundje bashkëshoqëruese

Ndërkohë që vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 77 pacientë, 15 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar. Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 38 qytetarë, duke e çuar në 1384 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Por lajmi i keq është se numri i të infektuarve vijon që të jetë i lartë. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 374 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 72 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 19 të prekur në Tiranë, 9 në Krujë, nga 8 raste në Shkodër, Durrës, Pukë, nga 4 raste në Sarandë dhe Vlorë, nga 3 raste në Fier, Lushnje, 2 në Lezhë, dhe nga 1 rast në Korçë, Elbasan, Has, Kavajë. Në vendin tonë aktualisht janë 963 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

Ministria e Shëndetësisë shprehet se rastet ditore do të vazhdojnë të shfaqen në ndërmarrje biznesi dhe institucione nëse nuk zbatohen rregullat e vendosura. “E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike, duke vendosur maskën kur nuk ruani dot distancën, duke ruajtur higjienën personale, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara. Respektimi strikt i masave të vendosura do të ruajnë shëndetin tuaj dhe njerëzve tuaj të dashur.

Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju rikujton se për sa kohë nuk ka një vaksinë, qytetarët duhet të përshaten me normalitetin e ri dhe të përshtasin sjelljen e tyre duke u kujdesur për zbatimin strikt të çdo rregulli të vendosur. U drejtohemi me një lutje gjithë qytetarëve dhe bizneseve të jenë rigoroz në zbatimin e protokolleve të sigurisë, të vendoset detyrimisht maska në shërbim, edhe nga çdo qytetar kur është e pamundur ruajtja e distancës fizike, si e vetmja mënyrë për kufizimin e përhapjes së infeksionit”.

COVID-19 – Statistika (28 Qershor 2020)

Testime totale                        26292
Raste pozitive                         2402
Raste të shëruara                  1384
Raste Aktive                             963
Humbje jete                             55 (Qarku Tiranë 31, Durrës 9, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 6, Kukës 1, Elbasan 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë     371
Durrës     181
Shkodër 162
Vlorë     103
Fier         48
Lezhë     33
Korçë     26
Kukës     15
Elbasan  12
Gjirokastër 7
Berat      5

Bilanci në 7 ditët e fundit

E hënë 33 raste, 1 viktimë
E martë 52 raste, 1 viktimë
E mërkurë 67 raste, 2 viktima
E enjte 78 raste, 1 viktimë
E premte 77 raste, 2 viktima
E shtunë 61 raste, 2 viktima
E diel  72 raste, 2 viktima
Në total në javën e fundit, 440 raste dhe 11 viktima

/Shqiptarja.com

Share With:
Translate »
621 Views