Të jetosh me fëmijët e partnerit
Familje të ndara, familje të rindërtuara…kur çiftet ndahen dhe formohen sërish, ndonjëherë fëmijët reagojnë keq. në këtë mënyrë, situata bëhet e vështirë për t’u pranuar nga fëmijët e partnerit/partneres tuaj të ri/re. atëherë si mund të “mbillni” dashurinë e të rriturve kundrejt fëmijëve?
Babai, mamaja dhe fëmijët nën të njëjtën çati: prej shumë kohësh ka qenë modeli klasik i familjeve. Por sot, të çorientuar nga detyrimet e imponuara nga prindërimi ose të trembur nga humbja e rasteve më të rëndësishme në jetë, janë të shumta çiftet me fëmijë që mendojnë se janë të papërputhshëm dhe se duhet të ndahen. Në më shumë se 67% të rasteve, fëmijët qëndrojnë me nënën e tyre. Kur prindërit “riformojnë një jetë”, ose kur vendosin të jetojnë me një partner/e të ri/e, fëmija gjendet në një situatë të tillë që nuk ka të bëjë më me dy prindërit e bashkuar që janë ndarë, por me katër persona të rritur që ushtrojnë mbi të autoritetin e tyre. Përballë një situate ndonjëherë konfuze, fëmija rebelohet duke i bërë të vështira marrëdhëniet e çifteve të reja.
Autoriteti dhe përgjegjësia
Bashkëshorti apo bashkëshortja e re nuk gëzon asnjë status ligjor në sytë e fëmijës së partnerit. Në të kundërt, ekzistojnë një sërë përgjegjësish dhe detyrash kundrejt fëmijës së partnerit (partneres). Është pikërisht kjo paqartësi që shpesh kthehet në përplasje midis ish-ave: prindi biologjik nuk i pëlqen zgjedhjet, në veçanti ato shkollore, të partnerit-partneres të ri/re të ish-bashkëshortit/ bashkëshortes. Kështu që fëmija e gjen veten të “prangosur” në “burgun” e mosmarrëveshjeve të të rriturve. Askush nga ata nuk arrin të imponojë autoritetin e tij dhe fëmija përfiton nga kjo gjendje e keqe duke u shfryrë me shprehje të tipit: “Nuk je babai im prandaj mos më jep urdhra”, shprehje e cila përmban gjithashtu edhe një qortim për babanë biologjik, për mungesën e tij. Me gjithë përpjekjet e bëra, partneri i ri apo partnerja e re ndihet si i vënë në lojë. Historia e dashurisë midis dy të rriturve transformohet në përplasje ndikimesh që ndonjëherë mund të çojë në prishjen e marrëdhënies sentimentale.
Perceptimi i fëmijës
Fëmija e percepton ardhjen e partnerit të ri të nënës së tij, apo ardhjen e bashkëjetueses së re të babait, si një infiltrues që vjen për të thyer intimitetin e fituar në kurriz të ndarjes së prindërve të tij. Vullnetarisht apo në mënyrë të pandërgjegjshme, ai mund të tentojë të sabotojë këtë lidhje të re, akoma edhe më shumë nëse nuk ka hequr ende dorë për të “ndrequr” raportin midis prindërve të tij. Kështu që, nuk mjafton të qenët simpatik në sytë e tij, duke i buzëqeshur, duke i blerë dhurata, apo duke i plotësuar çdo kapriçio që ai ka, në mënyrë që i ardhuri i ri të arrijë të jetojë i qetë me të.
Si t’i evitoni konfliktet e vazhdueshme?
Gjetja e vendit tuaj kërkon respektimin e disa parimeve të caktuara:
– Mos jetoni si një i ftuar në shtëpinë e familjes së braktisur nga babai ose nëna biologjike, por propozoni një shkëmbim opinionesh në grup për të vendosur një organizim të ri të hapësirave, që do të marrë në konsideratë praninë dhe nevojat e çdo pjesëtari të familjes së “re”.
-Mos zëvendësoni dashurinë e prindit që mungon ose pjesën e autoritetit, por përcaktoni me prindin prezent dhe fëmijët rregullat e bashkëjetesës (duke filluar që nga punët e shtëpisë).
-Respektoni refuzimin e fëmijës për të besuar në një “të huaj”.
-Mos luani rolin e shefit të familjes që vendos gjithçka, ndërkohë që fëmija është mësuar të shohë nënën ose babanë e tij biologjik që marrin vendime që i takonin familjes së dikurshme. Në vend që të prishni gjithçka, më mirë diskutoni në çift në prezencë të fëmijëve projektet, ndryshimet e organizimit të familjes etj. Përveçse duhet të adoptoheni me stilin e jetës së personit me të cilin jeni dashuruar, sigurisht duke mos hequr dorë nga shijet tuaja, është e nevojshme të përshtateni edhe me fëmijën.
-Mos shtirni dashuri kundrejt fëmijës nëse qysh në fillim nuk ia keni dalë mbanë të binit dakord : fëmija do ta kuptojë gënjeshtrën dhe do të humbasë besimin tek i rrituri sapo të hyjë në jetën e tij. Më mirë të prisni të mësoheni dhe të ambientoheni dalëngadalë me njëri-tjetrin.
Me pak fjalë, është e këshillueshme që të flitet shumë me fëmijën e partnerit-partneres: kjo do të ndihmojë prindin prezent që t’i “imponojë” fëmijës zgjedhjen e partnerit apo partneres së tij/saj të re. Padyshim, kjo nuk ndalon fëmijën të provojë revolta kundër kësaj situate: në fakt ai nuk është shkaktari i trazirave familjare. Qetësia dhe qëndrueshmëria janë armët më të efektshme në mënyrë që pengesat të tejkalohen së bashku.