Me sytë e përlotur Khabib ia dedikon fitoren babait të ndjerë
Fitoren ndaj Justin Gaethje për titullin e peshave të lehta në UFC 254 Khabib Nurmagomedov ia ka dedikuar babait të tij të ndjerë.
Nurmagomedov ka arritur të triumfojë ndaj Gaethjes në përballjen e zhvilluar në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Luftëtari nga Dagestani ishte i pamëshirshëm duke arritur ta mposhte amerikanin Gaethje që në fillim të raundit të dytë.
Pas fitores, Khabib u ul në oktogon me sytë e përlotur dhe fjalët e para të tij ishin vërtetë emocionuese, duke ia dedikuar fitoren babait të tij të ndjerë.
Khabib njoftoi gjithashtu pensionimin dhe ky erdhi edhe si premtim ndaj nënës së tij.
“Kjo ishte lufta ime e fundit. Në asnjë mënyrë nuk mund të vij këtu pa babanë tim. Ka vetëm një gjë që unë dua nga UFC, të më vendosë si luftëtarin numër 1 në çdo kategori në botë sepse e meritoj atë”, ka thënë Khabib.
Pas kësaj fitore, Khabib vazhdon rekordin pa humbje, prej 29 fitoreve.