Rita Ora tregon jetën e vështirë që ka kaluar: Mami dhe motra më kanë mbrojtur
Rita Ora në një intervistë të fundit për gazetën britanike “Standard”, ka folur për jetën e saj dhe vështirësitë që ka kaluar duke pranuar se ka mësuar shumë nga të 20-at e saj teksa për pak ditë do të mbush 30 vjeç.

“Jam gruaja që dua të jem. 30-vjetori i madh! Jam më komode në lëkurën time se kurrë më parë. Nuk kam pasur jetë normale në të 20-tat e mia, por nuk do e ndryshoja për asgjë në botë. Është diçka që e kam vënë re gjatë izolimit, nuk e kam pasur kurrë atë jetë ku ti mund të dalësh të ecësh në kopshtin tënd apo kudo tjetër dhe të mos i interesoj askujt. Në të njëzetat sigurisht bën gabimet e tua, por tani i shoh si mësime”, u shpreh Rita.
Këngëtarja me origjinë shqiptare tregoi se shpesh ka pasur probleme për shkak të vëmendjes së vazhdueshme nga ana e publikut.

“Për të gjithë ata që janë në qendër të vëmendjes… nuk mund të ndjekësh një shkollë për këtë gjë. Nuk ka shkollë se si të jesh i famshëm. Mendoj se unë kam mësuar në mënyrën më të vështirë. E kalon kur e pranon dhe thua ‘Ok, kjo është jeta ime tani’. Jam shumë mirënjohëse si ka shkuar karriera ime deri tani, por gjithçka ka qenë falë menaxhimit. Jam me fat që kam mamin dhe motrën të cilat më kanë mbrojtur që nga fillimi”, tha Rita.

