“Jam djali i tij”, Maradona nuk gjen qetësi pas vdekjes: Zhvarroseni ta provojmë
Një djalë i ri, Santiago Lara, i lindur në vitin 2001 pretendon se është djali i legjendës së futbollit, Maradonës, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë. Santiago ka kërkuar prej vitesh krahasimin e ADN-së së tij me atë të Diegos, pasi e ëma i ka rrëfyer se është djali i futbollistit.

Mamaja e Santiagos, Natalia Garat e kishte takuar Maradonën kur ishte 19 vjeç dhe punonte si modele. Katër vite më vonë ajo ndërroi jetë, por përpara se të mbyllte sytë i tha Santiagos i biri i kujt është.
Santiago ndërmori rrugë ligjore për të mësuar të vërtetën dhe ende vazhdon me pretendimin e tij. Sipas mediave argjentinase së fundmi ai ka kërkuar zhvarrosjen e Maradonës.

“Unë thjesht dua të di kush jam. Nuk kam pretendime financiare. Deri në ditët e fundit para vdekjes së saj, kur iu desh të hiqte aparatin mjekësor për të folur, nëna ime i tha një grupi avokatësh se isha djali i Diegos. Ata janë njohur kur ajo punonte si modele dhe kanë shumë miq të përbashkët”, u shpreh Santiago.
