Djali i ish-kryeministrit del me vajzën 5-vjeçare në protestë: Më kërcënuan, por do dal dhe sot (VIDEO)
Djali i ish-kryeministrit Aleksandër Meksi ka dalë në protestën për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, së bashku me vajzën e tij 5-vjeçare, e cila kishte edhe ditëlindjen.
Redon Meksi ka deklaruar se efektivët e policisë i kanë kërkuar të largohet, por ai ka vazhduar që të qëndrojë me vajzën dhe bashkëshorten e tij. Ata kanë respektuar edhe masën e vendosur nga Ministria e Shëndetësisë për të mbajtur maskë.
Ai është shprehur gjithashtu se e ka mësuar të bijën që të jetë pjesë e protestave që në moshë të vogël, pasi ka marrë pjesë edhe në protestën e studentëve.
“Kam marrë vajzën 5-vjeç dhe kam vënë edhe maskën për të shmangur policinë. Dy efektivë policie më kërkuan të largohesha nga aty. E pyeta pse nuk lejohet. Jam unë vajza ime dhe ime shoqe. Ma thuaj se unë iki dhe largohem. Më kërcënuan më thanë se do më shoqërojnë. Unë isha në të drejtën time. Ata flisnin në celularë. I thoshin që ky nuk do të largohet, çfarë të bëjmë. Më thonin do të shoqërojmë, do të vijë shefi tani vetë këtu. Në fund u largova vetë se edhe vajza u mërzit. Vajza ka qenë edhe te protesta e studentëve”, u shpreh Meksi për ABC News.
Gjatë intervistës ai tha se dorëheqja e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj do të ishte një fitore për të gjithë shqiptarët. Meksi ka ironizuar gjithashtu edhe ata që ‘qanin’ për rrëzimin e pemës.
“Qëllimi për mua është të japë dorëheqjen ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. Kjo do të ishte një fitore e qytetarëve shqiptarë. Ata që ankoheshin për vrasjen në Amerikë sot qajnë një pemë të rrëzuar. Qëllimi i protestës ky është, që ministri të shkarkohet. Njerëzit nuk kanë më besim. Ngritja dhe arritja e qëllimit me protesta do i çonte njerëzve të kërkojnë të drejtën e tyre më shumë. Sa herë ka pasur dhunë nga policia, Lleshaj ka dalë për t’i mbrojtur me zell. Ai është një person që shkel ligjin. Do jem sot në protestë edhe vetëm nëse nuk organizohen të tjerët”, deklaroi ai.
https://www.facebook.com/508476859/videos/10157564536646860/