A ka drejtësi në Shqipëri? Rikthehen në detyrë 15 policët e pezulluar pas aksidentit tragjik të Jonadës
Tragjedia e ndodhur në plazhin e Potamit në Himarë, ku komisari i policisë Arjan Tase vrau me skaf 7-vjeçaren Jonada Avdia, nxiti reagime të shumta jo vetëm nga opinioni publik por edhe nga organet shtetërore.
Ish- Drejtori i Policisë, Gledis Nano, i cili u shkarkua disa javë më parë, pezulloi nga detyra 15 drejtues e inspektorë policie të kufirit, mbikëqyrjes së plazheve, rendit e anti- krimit në Himarë.
Por 15 shefat dhe inspektorët e policisë të zonës Himarë- Vlorë, nuk u hetuan nga SHÇBA as kur Muhamet Rrumbullaku ishte drejtor deri më 28 gusht, por as nga pasuesi i tij Ardi Veliu.
Skandali thellohet me tepër, kur 15 zyrtarëve të policisë, u është hequr masa e shkarkimit nga detyrat dhe e pezullimit nga policia.
Kështu ata janë rikthyer përsëri në strukturat policore, në të njëjtën drejtori e komisariat policie dhe me të njëjtat grada e detyra, ku thjesht iu janë ndërruar zonat e shërbimit.
Heqja e urdhrit të pezullimit, që ishte vendosur ndaj tyre nga ish-drejtori Gledis Nano, u bë 4 ditë para se kryeministri Rama të emëronte Drejtorin e ri të Policisë, Muhamet Rrumbullakun. Ligjërisht, rezulton që pezullimi të jetë hequr nga drejtori në detyrë Tonin Vocaj, i cili e kishte atë kompetencë.
Ky i fundit mund të jetë detyruar nga ndonjë vendim i Drejtorit të SHÇBA, Ardi Veliu, për t’u pushuar hetimin dhe hequr pezullimin; veprim të cilin Ardi Veliu nuk e ka bërë për herë të parë. Ai bëri një marifet të tillë edhe në dhjetor 2020 kur ishte Drejtor i Përgjithshëm, me rikthimin në polici të komisarit vrasës Arjan Tase dhe 5 vartësve e tij të arrestuar në flagrancë me drogë.
Theksojmë rikthimi i 15 policëve të pezulluar për vrasjen e 7-vjeçares në plazh, është bërë 3 ditë pasi kryeministri Edi Rama, në prezantimin e drejtorit Muhamet Rrumbullaku, deklaroi:
“Jam akoma i traumatizuar e nuk më zë gjumi, prej tragjedisë që shkaktoi punonjësi i policisë në Himarë, i cili duhet të marrë ndëshkimin që meriton, por zoti ministër dhe ju zoti drejtor i ri, në polici nuk duhet të kenë më vend, as ata që nuk garantuan sigurinë e pushuesve në plazh.”
/iconstyle.al