Ai e donte nënën dhe motrën! Misteri i vrasjeve të oligarkëve rusë dhe familjeve të tyre të lidhura me Kremlinin
Sergey Protosenya, i cili akuzohet se theri gruan dhe vajzën e tij adoleshente para se të kryente vetëvrasje është vrarë, tha sot djali i tij.
Multimilioneri Protosenya u gjet i varur në kopshtin e vilës së tij në Spanjë dhe trupat e pajetë të gruas së tij Natalya dhe vajzës së tij 18-vjeçare Maria u gjetën të masakruara me sëpatë brenda.
Ngjarja e rëndë ndodhi ndërsa familja po festonte Pashkët në Costa Brava javën e kaluar.

Por djali i tij Fedor ka thënë së fundmi, se babai i tij, i cili kishte qenë nënkryetar i firmës kryesore ruse të gazit Novotek, ‘nuk mund të dëmtonte kurrë’ nënën dhe motrën e tij dhe sugjeroi se të tre anëtarët e familjes së tij ishin vrarë.
“Babai im nuk është vrasës”, tha Fedor Protosenya për MailOnline.
Protosenya nuk la një shënim vetëvrasjeje dhe nuk u gjetën gjurmë gishtash në armët e vrasjes. Gjithashtu në trupin e tij nuk kishte njolla gjaku.
Fedor, një student 22-vjeçar, nuk ishte në Spanjë me familjen e tij pasi e kaloi Pashkën në shtëpinë e familjes në Bordo, Francë.
‘Ai e donte nënën time dhe veçanërisht Marian, motrën time. Ajo ishte princesha e tij. Ai kurrë nuk mund të bënte asgjë për t’i dëmtuar ato. Nuk e di se çfarë ndodhi atë natë, por e di që babai im nuk i lëndoi ata’, tha Fedor.
Gjithashtu, biznesmeni Anatoly Timoshenko, një mik i ngushtë i oligarkut rus tha për MailOnline: Sergei nuk e bëri këtë. Ai nuk e vrau familjen e tij. Është e pamundur. Nuk dua të diskutoj se çfarë mund të ketë ndodhur në shtëpi atë natë, por e di që Sergei nuk është një vrasës.
Një mik tjetër Roman Yuravich shtoi: Sergei nuk e vrau familjen e tij. E njoh prej dhjetë vitesh. Ai ishte një njeri i lumtur. Ai e donte familjen e tij. Ai nuk vrau gruan dhe fëmijën e tij. Jam i sigurt.
Vdekja e oligarkut është vdekja e katërt misterioze e drejtuesve të firmave ruse të gazit dhe familjeve të tyre të lidhura me rrethin e ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin.

Vetëm disa ditë më parë trupi i Vladislav Avayev u gjet në apartamentin e tij elitar në Moskë së bashku me gruan e tij Yelena dhe vajzën 13-vjeçare Maria në një tjetër vrasje-vetëvrasje të dukshme.
Avayev, 51 vjeç, ishte më parë president i Gazprombank, një bankë e krijuar për të punuar për gjigantin rus të gazit Gazprom, dhe kishte qenë gjithashtu një zyrtar i Kremlinit.