Aksidenti me 4 viktima në “Rrugën e Kombit”, ja gjendja e 3-vjeçares që mbeti e plagosur
Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmë në Rrugën e Kombit. Blerim Avdiaj 49-vjeç së bashku me bashkëshorten Anjezën dhe fëmijët po udhëtonin drejt Shqipërisë në momentin kur u përplasën me një mjet të tonazhit të rëndë.
Nga familja Avdiaj ka mundur të shpëtoje më e vogla, Violeta, e cila është vetëm 3 vjeçe, por ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë.
Dyshimet e para janë se makina me të cilën udhëtonte familja nga Kosova ka tentuar të parakalojë automjetet para tij në një kthesë dhe nuk ka mundur ta shohë kamionin që vinte në drejtim të tij kur dhe ndodhi përplasja tragjike.
Drejtuesi i kamionit po nga Kosova, është shoqëruar nga policia për t’u marrë në pyetje. Ndërsa policia vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti mjaft të rëndë.
Ambasadori i Kosovës në Shqipëri flet për gjendjen e 3-vjeçares
Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Nait Hasani, ka qenë pranë ambienteve të Spitalit të Traumës për të mësuar nga afër gjendjen e 3-vjeçares Violeta Avdijaj, e cila mbeti e plagosur në aksidentin e ndodhur në rrugën e Kombit. Ajo humbi dy prindërit, motrën dhe një të afërm të sajin.
“Ka ndodh një aksident në Rubik. Kemi 4 të vdekur, një është i lënduar, një fëmijë. Është me lëndime të rënda, është në gjendje ende jo e qëndrueshme. Mjekët janë duke bërë përpjekje për trajtimin dhe ekzaminimin, ato që kanë mundësi, për ti shpëtuar jetën. Kështu, kemi 4 të vdekur. Janë nga Prishtina ose më saktë nga rrethi i Prishtinës. Shoferi i kamionit është nga komuna e Rahovecit. Është e dhimbshme! Familjarëve u shprehim ngushëllime”, tha ndër të tjera Hasani.
Sa i përket gjendjes së 3-vjeçares, ambasadori u shpreh se ka dëmtime në këmbë, stomak dhe në kokë.