Aktorja e ‘Casa de Papel’ bëhet nënë për herë të parë!

Një postim në rrjetet sociale i aktores spanjolle Úrsula Corberó disa muaj më parë ndezi menjëherë spekulime rreth shtatzënisë dhe gjinisë së foshnjës që ajo priste me partnerin e saj, aktorin Chino Darín. Në imazh shfaqeshin çizme blu për fëmijë një detaj që shumë ndjekës e interpretuan si një sinjal për gjininë e bebit. Megjithatë, çifti nuk bëri asnjë konfirmim zyrtar në atë kohë, duke zgjedhur të ruajë privatësinë.

Corberó e bëri publik lajmin e shtatzënisë në shtator të vitit të kaluar përmes një fotografie ku barku i saj ishte i dukshëm, të shoqëruar me komentin ironik: “Kjo nuk është inteligjencë artificiale.” Edhe pas këtij njoftimi, çifti vazhdoi të mbante një profil të ulët, duke shmangur detajet rreth zhvillimeve personale.

Lajmi për ardhjen në jetë të foshnjës u konfirmua së fundmi nga gazetarja Lorena Vázquez gjatë emisionit televiziv Y Ahora Sonsoles, duke i dhënë fund muajve të spekulimeve. Deri tani, as Corberó dhe as Darín nuk kanë bërë një reagim publik apo deklaratë zyrtare lidhur me lindjen.

Çifti u njoh në vitin 2015 gjatë xhirimeve të serialit La Embajada dhe që prej asaj kohe kanë ruajtur një marrëdhënie të qëndrueshme, larg ekspozimit të tepruar mediatik. Edhe gjatë kësaj periudhe të rëndësishme personale, ata zgjodhën të menaxhojnë informacionin me kujdes, duke ndarë vetëm momente të përzgjedhura me publikun.

Me ardhjen e fëmijës së tyre të parë, dy aktorët hapin një kapitull të ri në jetën familjare.

Share With:
Translate »
2 Views