Aktorja rrëfen se besonte se s’do të bëhej kurrë nënë: Kur ndalova së menduari këtë, mbeta shtatzënë
Emma Roberts u shfaq në kopertinën e Cosmopolitan, ku dha intervistën e saj të parë të thelluar në lidhje me shtatzëninë dhe rrugëtimin e saj për t’u bërë nënë. Roberts është duke pritur fëmijën e saj të parë, një djalë, me të dashurin e saj Garrett Hedlund. Fëmija pritet të vijë në jetë vitin e ardhshëm.

Roberts foli për dëshirën e një jete për t’u bërë nënë, luftën me endometriozën që nga vitet e adoleshencës, duke u përballur me ndikimet e saj në fertilitet. Roberts u pyet nëse ajo ka menduar “tani unë jam gati të jem nënë”, gjë që solli rrëfimin e saj të sinqertë.

Roberts tha:
“Që kur isha e vogël, teorikisht dëshiroja të kisha një fëmijë. Kur isha fëmijë, i lutesha nënës që të bënte një fëmijë tjetër. Ditën që ajo solli motrën time në shtëpi nga spitali, mbaj mend që e mbaja, duke dashur ta vishja dhe të luaja me të.
Në moshën 16-vjeçare, mendova, deri në moshën 24 vjeç, do të martohem dhe do të bëhem me fëmijë. Por puna, veçanërisht aktrimi – udhëtimet, orët – nuk janë gjithmonë të favorshme për të krjuar një familje.
Fillova ta mendoja seriozisht kur, disa vjet më parë, mësova se kam pasur endometriozë të padiagnostifikuar që kur isha adoleshente. Gjithmonë kam pasur ngërçe dhe dhimbje të tmerrshme periodash, aq keq sa do të humbisja shkollën e anuloja takimet. Ia përmenda këtë doktorit tim, i cili nuk i kushtoi rëndësi duke menduar se po tregohesha dramatike. Në fund të të 20-ave, thjesht kisha një ndjesi që më duhej të gjeja një mjeke femër. Ishte vendimi më i mirë. Ajo bëri prova, më dërgoi tek një specialist. Më në fund, u vërtetua që unë nuk isha treguar dramatike. Por deri në atë kohë, kjo kishte ndikuar në fertilitetin tim. Më thanë se ndoshta duhet të ngrija vezët ose të shikoja për opsione të tjera.
Të them të drejtën, u tmerrova. Thjesht mendimi se, mbase, nuk do të isha në gjendje të kisha fëmijë… I ngriva vezët e mia përfundimisht, i cili ishte një proces i vështirë.
Fillova të ndihesha sikur kisha bërë diçka keq. Pastaj fillova të hapesha me gratë e tjera dhe krejt papritur u bë një botë e re bisedash rreth endometriozës, infertilitetit, aborteve, frikës nga të pasurit fëmijë. Isha aq mirënjohëse kur zbulova se nuk isha vetëm në këtë. Në fund të fundit nuk kisha bërë asgjë “të gabuar”.
Tingëllon çuditshme, por në momentin që ndalova së menduari për këtë, mbeta shtatzënë. Por edhe atëherë, nuk doja të zhgënjehesha. Gjërat mund të shkojnë keq gjatë shtatzënisë. Kjo është diçka që nuk e shihni në Instagram. Kështu që e mbajta për vete, familjen time dhe partnerin tim, duke mos dashur të bëja plane madhështore nëse nuk do të funksiononte. Kjo shtatzëni më bëri të kuptoj se i vetmi plan që mund të kesh është të mos bësh asnjë plan.”
Emma e konfirmoi shtatzëninë në muajin gusht, duke zbuluar se ishte në pritje të një djali.