Alarmi, 11% e fëmijëve viktima të ngacmimit seksual

Në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, organizata të shoqërisë civile kanë protestuar nën sloganin “Jepni llogari për fëmijët” për më shumë të drejta për këtë kategori. Me pankarta në duar, aktivistët kanë marshuar para kryeministrisë e më pas i kanë dorëzuar një peticion presidentit Ilir Meta.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” Klaudio Pulaha, një ndër aktivistët e pranishëm dje në protestë, njëkohësisht përfaqësues i Rrjetit Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve tregon se kërkesat drejtuar instancave përkatëse, kanë ngelur pa përgjigje prej një viti. Më tej Pulaha zbardh shifrat alarmante sipas të cilave mbi 2 mijë fëmijë gjenden në situatë rruge ndërsa 11% e fëmijëve deklarojnë se janë viktima të dhunës dhe ngacmimeve seksuale nga një i rritur.

Organizata të ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve kanë nënshkruar një peticion. Në çfarë konsiston ky peticion, cilat janë pikat kryesore të tij?
Me anë të këtij peticioni, organizatat e shoqërisë civile në të gjithë Shqipërinë, duan të risjellin në vëmendjen e publikut, mediave, zyrtarëve dhe ligjvënësve shqiptarë, angazhimet e ndërmarra nga Shqipëria për arsimin, kujdesin, mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve! Ne kërkojmë nga institucionet përkatëse të marrin hapa konkretë dhe të menjëhershëm për realizimin e të drejtave të fëmijëve të sanksionuara nga Konventa për të Drejtat e Fëmijës, si dhe në detyrimet që kanë lindur nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG-të). Ka kaluar tashmë një vit nga dorëzimi i letrës së hapur para zyrës së Këshillit të Ministrave, Kuvendit dhe Presidentit të Republikës. Me keqardhje ne konstatojmë sot se kërkesat dhe rekomandimet tona ende nuk janë marrë parasysh! Ky peticion përmban 5 shtylla kryesore të problematikave të fëmijëve në Shqipëri: arsimi; mbrojtja sociale; shëndetësia; varfëria aksesi në drejtësi dhe ligjet për fëmijët.

A ofrohen kushtet e përshtatshme për arsimimin e fëmijëve në vendin tonë, si në aspektin infrastrukturor dhe në mësimdhënie?
Investimet publike në fushën e arsimit mbeten në nivele të ulëta! 50% e shkollave nuk kanë ujë të pijshëm dhe vetëm 30% kanë kushte higjiene të përshtatshme. Vetëm 35% e shkollave janë të aksesueshme nga fëmijë me aftësi të kufizuar. Braktisja e shkollës arrin në nivelet 20% për fëmijët romë ndërsa mbi 45% e fëmijëve me AK! Pjesëmarrja e fëmijëve në qeverisjen dhe vendimmarrjen e shkollës është vetëm 3-5%. Ne kërkojmë 6% investime publike për arsimin! Çdo fëmijë ka të drejtë për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës si dhe të garantohet pjesëmarrja e fëmijëve në të gjitha vendimet që merren për ta në institucionet arsimore.

Disa herë është konstatuar që fëmijët janë dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht në ambientet e shkollave ku mësojnë. Çfarë masash duhet të merren nga instancat përkatëse për t’i dhënë fund këtij fenomeni?
Prej kohësh, Koalicioni për Arsimin në Shqipëri ka kërkuar përmes Manifestit të Arsimit “Krijimin e mekanizmit kombëtar për parandalimin dhe raportimin e dhunës dhe ngacmimeve në institucionet arsimore”. Gjithashtu, një tjetër kërkesë që, nëse realizohet do të mund të reduktojë dhunën dhe ngacmimet në shkolla është pikërisht vendosja e një punonjësi të shërbimit psiko-social në çdo shkollë!

Si paraqitet situata ekonomike e fëmijëve shqiptarë?
20% e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në varfëri absolute; 49% e familjeve me më shumë se 4 fëmijë janë të varfër dhe 22% e fëmijëve 0-4 vjeç jetojnë në varfëri. 17.4% e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në familje me të ardhura më pak se 15,000 lekë/muaj ndërkohë që ende 2% e fëmijëve jetojnë në familje me zero të ardhura. Besohet se mbi 100,000 fëmijë në të gjithë Shqipërinë janë të rrezikuar nga varfëria! Asnjë fëmijë nuk duhet të jetojë në varfëri! Shteti ka për detyrë të sigurojë ushqimin dhe strehimin për fëmijët!

A ka raste ku fëmijët kanë rënë pre e ngacmimeve apo abuzimit seksual? Nëse po ku bazohen statistikat?
77% e fëmijëve në Shqipëri kanë përjetuar të paktën një formë të dhunës ndërsa 56% e fëmijëve janë viktima të bulizmit. 11% e fëmijëve deklarojnë se janë viktima të dhunës dhe ngacmimeve seksuale nga një i rritur! Kjo ndodh në familje, në shkolla dhe institucionet e përkujdesit shoqëror. Mbi 60% e fëmijëve raportojnë internet të pasigurt! Mbi 2000 fëmijë gjenden në situatë rruge. Vetëm 7.8% e fëmijëve me aftësi të kufizuar kanë akses në shërbime të specializuara. 50,000 fëmijë në Shqipëri shfrytëzohen për punë!
Statistikat bazohen në studime dhe raporte të ndryshme të përgatitura nga organizata të ndryshme të shoqërisë civile dhe institucione, të cilat punojnë dhe mbrojnë të drejtat e fëmijëve në Shqipëri.

Sa është numri i fëmijëve që jetojnë në situatë rruge në vendin tonë?
Aktualisht që flasim mund të themi se mbi 2000 fëmijë gjenden në situatë rruge, të cilët janë të rrezikuar nga shumë fenomene të ndryshme, përfshi këtu keqtrajtimet, dhunën dhe ngacmimet seksuale nga grabitqarët seksualë.

Share With:
Translate »
796 Views