Ana e panjohur e ish-presidentit Moisiu, Krishtlindjet me stërnipërit dhe stërmbesat
Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, sot 88-vjeçar, gëzon pensionin në këtë periudhë të jetës së bashku me stërnipër e stërmbesa. I bekuar që ia ka arritur kësaj dite, Moisiu, çdo vit festat i kalon me fëmijët. Prej 8-vjetësh ai gëzon statusin e stërgjyshit dhe ky është si mjalti i mjaltit, thotë ai, është gjithmonë frymëzim të jesh i rrethuar nga fëmijët e më shumë, kur sheh pranë vetes brezat të rriten.
Së bashku me të bijën e tij, Mirela, ish-presidenti ka qenë i ftuar në studion e ‘’Pasdites në Top Channel’’ për të ndarë me publikun një profil tjetër jashtë atij që kemi njohur deri tani; jetën familjare, marrëdhënien me vajzat, por edhe ndjesinë e të qenit stërgjysh prej disa vitesh tashmë.
I pyetur si është të jesh stërgjysh, një status që nuk gëzohet dendur, Moisiu thotë se është lumturi e madhe: “Duket si e thjeshtë, por nuk është edhe aq. Unë kaloj shumë kohë me stërnipërit dhe stërmbesat, luaj me ta. Është frymëzim patjetër, është bekim, mjalti i mjaltit. Kush e gëzon këtë status, e di që është fat të jesh stërgjysh”, – thotë ish-presidenti.
Në një instert të përgatitur në shtëpinë e tyre, Moisiu është së bashku me dy stërmbesat dhe një stërnip, duke u shpërndarë atyre dhurata: “Zakonisht, unë u dhuroj libra. Meqenëse mbesat jetojnë në Francë, dua që fëmijët të kenë gjithmonë kontakt me gjuhën shqipte, ta mësojnë atë”, – thotë ish-presidenti Moisiu.
E tillë është gjithmonë festa në shtëpinë e tyre, me ngjyra, me drita, me zëra fëmijësh.