Andresa na prezanton për herë të parë me djalin e saj

Andresa Ambrosio është ish-balerina e sambas e cila hyri në botën e televizionit pa asnjë pretendim pasi ajo nuk e kishte ëndërruar asnjëherë më parë ekranin. Shumë shpejt vajza nga Brazili me humorin dhe energjinë e saj u bë një figurë e dashur për publikun shqiptar.

Krah moderatorit të njohur Ardit Gjebrea në “E Diela Shqiptare”, ajo ishte padiskutim një figurë që spikaste. Sot ajo rikthehet pas 2 vitesh në studion e “Rudina” në Tv Klan, por kësaj here jo vetëm. Andresa vjen për herë të parë së bashku me djalin e saj, Rafaelin. Lidhja e saj e dashurisë gati 13-vjeçare me avokatin italian Mirko, u bekua para dy viteve me një fëmijë.

Rudina Magjistari: Jeni në Shqipëri apo keni lëvizur me Mirkon në Itali?

Andresa Ambrosio: Pak në Brazil, pak në Itali, sepse ka babain dhe familjen Mirko dhe pak këtu. Një muaj këtu e një muaj andej.

Rudina Magjistari: Po tre vende shumë të bukura. Ndërkohë që Rafaeli kënaqet duke parë veten e vet mesa shikoj në ekran dhe duket që po i pëlqen. Është hera e parë që del në televizor apo jo?

Andresa Ambrosio: Fiks, fiks në program është hera e parë.

Rudina Magjistari: Po dhe do e ketë kujtim gjithë jetën.

Rudina Magjistari: Më thuaj pak momentin kur erdhi Rafaeli në jetë, çastin kur lindi si e kujton?

Andresa Ambrosio: Unë me Mirkon kemi qenë 13 vite bashkë dhe më pas vjen Rafaeli në jetë.

Rudina Magjistari: Pra keni qenë 13 vite bashkë dhe më pas vendosët që të sillnit një fëmijë një jetë.

Andresa Ambrosio: Kur lindi Rafaeli Mirko nuk e kishte kuptuar ende që ishte bërë baba, por u mbush me dashuri. E gjithë familja. Rafaeli ishte shumë i dëshiruar.

Rudina Magjistari: Më thuaj pak ti vetë si linde, linde në mënyrë natyrale apo me cezariane.

Andresa Ambrosio: Ishte një lindje cezariane emergjente. Unë ika në Itali sepse doktori im këtu më tha që duhet të bëja një lindje me kirurgji, sepse do të ketë probleme, si për Rafaelin, si për ty. Por unë doja një lindje natyrale dhe ika në Itali. Shkova për të provuar një lindje normale. Rafaeli duhet të lindte më 27 Dhjetor, por ai vjen në jetë më 17 Dhjetor. 10 ditë më parë, unë pata komplikacione, zemra e Rafaelit po rrihte shumë ngadalë. Unë shkova në spital për një kontroll normal dhe mjekët më thonë që “ti nuk do të ikësh në shtëpi sot, duhet të hysh direkt në operacion” .

Rudina Magjistari: Kështu që ti linde më 17 Dhjetor.

Andresa Ambrosio: Ika në spital në datën 16, në orën 16:00 dhe në datën 17 Dhjetor u bëra gati për lindjen.

Rudina Magjistari: Dhe Rafaeli erdhi në jetë! Më thuaj diçka, momentin kur ta dhanë Rafaelin për herë të parë në krah, si e kujton?

Andresa Ambrosio: Në momentin që e dëgjova të qante, i dëgjova zërin, zemra ime ishte e mbushur plot, më dukej sikur nuk ekzistonte asgjë në botë. Vetëm ai moment!

Rudina Magjistari: Dhe tani u emocionove kur e kujton. Është një moment padiskutim i jashtëzakonshëm.

Share With:
Translate »
20 Views