“Anri nuk hipi dot në varkë.” Vëllai që shpëtoi nga mbytja, rrëfen si ndodhi ngjarja në Durrës
Një 19-vjeçar humbi jetën dje në Durrës, teksa u përpoq të shpëtonte nga mbytja vëllain dhe komshiun e tij, të dy të mitur.
Anri Kashiku 19 vjeç pa sesi vëllai i tij po thërriste për ndihmë nga deti dhe vrapoi për ta ndihmuar. Bashkë me të hyri në det edhe roja bredgetare Igli Shanija (qe ka folur sot për mediat). Të gjithë dolën të sigurt veç Anrit, që sipas deklaratës që ka dhënë në polici (zbardhur nga mediat), Anri s`ka mundur të hipë në varkën e shpëtimit.
“Shkuam në det me komshiun që e kam edhe shok dhe me vëllain tim më të madh. Atje kemi edhe shokë të tjerë që punojnë tek plazhi, kamarierë dhe te çadrat. Unë dhe shoku im u futëm për t`u larë në det. Notin e dimë shumë mirë se shkojmë shpesh në plazh dhe kryesisht aty në atë zonë. Ecëm pak thellë, sepse aty në breg ishte deti turbullt. Deti kishte shumë dallgë. Shkuam disa metra larg, por kur po ktheheshim dallgët nuk po na lejonin të dilnim, na tërhiqnin në thellësi. Aty po thërrisnim, ndihmë-ndihmë, po s`po na dëgjonte njëri pasi kishte shumë erë të fortë. Na pa shoku vëllait që punon te çadrat. Ne ishim në gjendje të rënduar pasi dallgët po na rrëmbenin dhe po pinim shumë ujë pasi na zhysnin. Erdhi Igli (roja që ka folur sot për mediat) me vëllain me shpejtësi dhe mbas tyre edhe një pedalone. Na ngjitën lart në barkë dhe pastaj na nxorrën në breg. Në momentet që hipëm në barkë, po përmbytej edhe barka dhe me vështirësi kemi dalë në breg nga çka mbaj mend. Ndërkohë vëllai nuk arriti të ngjitej në barkë. Më pas na dërguan në spital. Vonë e morëm vesh se ishte mbytur vëllai. Të gjithë dinim shumë mirë not se jemi banorë të zonës dhe e kemi afër detin. Nuk e di si ka mundësi që vëllai s`ka mundur të dalë në breg”, është shprehur i mituri.