Arilena Ara fiton ‘Festivalin e Këngës’ dhe shpërthen në lot nga dedikimi për familjen
U mbajt mbrëmjen e sotme në Pallatin e Kongreseve nata finale e “Festivalit të Këngës”, një natë plot emocione dhe surpriza. Pas performancave të 12 artistëve dhe performancave të artistëve me fame botërore si Eleni Foureira dhe Giusy Ferreri, në fund u shpall fituesi. Juria shpalli fituese Arilena Aran me këngën “Shaj” e cila do na përfaqësojë në Eurovision 2020.
“Unë nuk këndoj për trofe, nuk bëj muzikë për të fituar çmime, bëj muzike sepse i kam dedikuar jeten time që 14 vjeç. Këndoj për të tjerët, këndoj tekstet që i jane dedikuar njerëzve të tjerë. Kësaj here bashkë me Lindon Berishën shkruajtëm një këngë që ia dedikova vetes. Me këtë këngë kam vuajtur, kam qarë, kam qeshur, jam trembur, jam frikësuar, jam ndjerë në ankth. Jam e emocionuar sepse sot për herë të parë kam mamin në sallë, faleminderit kolegët që më kanë mbështetur, faleminderit bashkëpunëtorëve. Dua të falenderoj njeriun tim (babain) për gjithçka, faleminderit që më ke rritur, jam krenare që jam fëmija yt. Kjo kupë është për ju, përulem para jush”, u shpreh Arilena.

Vendin e dytë e fitoi Elvana Gjata me këngën “Me tana” ndërsa vendin e tretë Sara Bajraktari me këngën “Ajër”.