Arrin shifra rekord numri i fëmijëve të infektuar me Covid-19 në SHBA

Më shumë se 61 mijë fëmijë në SHBA u diagnostikuan me COVID-19 javën e kaluar – shifra më e lartë e regjistruar deri tani për infektimin e fëmijëve, raportoi të hënën Akademia Amerikane e Pediatrisë dhe Shoqata e Spitalit të Fëmijëve.

Në total, 853.635 fëmijë janë diagnostikuar me virus këtë vit, që përfaqëson 11.1% të të gjitha rasteve në SHBA. Përqindja e rasteve pediatrike është rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga mesi i prillit, kur fëmijët përbënin vetëm 2% të rasteve me COVID-19.
 
“Kjo është një kujtesë e zymtë e ndikimit që ka kjo pandemi te të gjithë – përfshirë fëmijët dhe adoleshentët tanë”,– tha Dr. Sally Goza, president i Akademisë Amerikane të Pediatrisë, në një njoftim për shtyp.

Kjo organizatë beson se numri i vërtetë i fëmijëve me COVID-19 është më i lartë, sepse sëmundja ka tendencë të jetë e lehtë tek fëmijët dhe kjo është arsyeja që nuk mund të testohen të gjithë. Një raport i tyre zbuloi se deri të enjten e kaluar, 121 fëmijë kishin vdekur, nga fillimi i pandemisë. Raporti nuk përfshin një djalë 13-vjeçar, i cili vdiq gjatë fundjavës në Misuri. Në një deklaratë, familja e tij u bëri thirrje njerëzve të vinin maska, të lanin duart shpesh dhe të ndiqnin udhëzimet e distancës shoqërore.

“Thjesht vazhdon të shkojë nga e tmerrshme në edhe më keq”,– tha Dr. Greg Demuri, një specialist i sëmundjeve infektive pediatrike në UW Health në Madison. “Duket se nuk ka ndonjë fund në horizont.”

Rastet totale në SHBA janë rritur 88% në dy javët e fundit, sipas shifrave të NBC News.

Share With:
Translate »
467 Views