Arsimi, nuk ka kompensim direkt 480 ose 1000 euro! Do ketë rillogaritje tatimi pas plotësimit DIVA
Nuk ka kompensim 480 apo 1000 euro! Do ketë rillogaritje tatimi. Kush del me tepricë kreditore (tatim të mbipaguar) do t’i kthehet diferenca e lekëve të paguar për tatim, por nëse bën kërkesë në tatimet rajonale.
Sipas sistemit e-Tax, pas datës 22 janar 2026 nis gjenerimi për plotësimin e Deklaratës Individuale të të Ardhurave (DIVA) për vitin 2025, ku për herë të parë do të aplikohet zbritje tatimore për tatimpaguesit me fëmijë në ngarkim nën 18 vjeç. Afati për plotësimin e deklaratës është deri më 31 Mars 2026.
Zbritja prej 48,000 lekësh apo 100,000 lekësh për prindërit e fëmijëve dhe për shpenzimet e arsimimit nuk është kompensim direkt. Kompensimi do të llogaritet si diferencë mes tatimit të ri (pas aplikimit të zbritjeve) dhe tatimit të paguar gjatë vitit 2025.
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” përcakton që vlerat 48 mijë lekë apo 100 mijë lekë (sipas rasteve) do të ulen nga baza e tatueshme, dhe kompensimi do të llogaritet si rezultat i diferencës së tatimit të ri (pasi janë bërë zbritjet e shpenzimeve sipas shkallës të të ardhurave të individëve) dhe tatimit që është paguar në 2025.
Pra nëse individi do të rezultojë me tatim të mbipaguar, pasi t’i zbriten shpenzimet, shumën e tepricës do ta kërkojë për rimbursim nëpërmjet një kërkesë që do t’i bëjë drejtorive rajonale të tatimeve.
Administrata Tatimore sqaroi për Monitor se është duke u hartuar udhëzimi përkatës me procedurat e për plotësimin e deklaratës, dokumentacioni që nevojitet dhe si do të bëhen kërkesat pranë drejtorive rajonale të tatimeve.
Shembull
Zbritjen e shpenzimesh në vlerën e 48 mijë lekëve apo rreth 480 euro nga totali vjetor i të ardhurave bruto, do ta përfitojnë të gjithë individët pavarësisht nivelit të të ardhurave, nëse kanë fëmijë në ngarkim të moshës deri 18 vjeç. Ndërsa zbritjen e shpenzimeve me vlerë maksimale deri 100 mijë lekë apo rreth 1,000 euro për arsimin e fëmijëve do të përfitohet nëse të ardhurat vjetore bruto të deklaruara janë deri në 1.2 mln lekë.
Njëri nga çifti i prindërve që kanë fëmijë nën 18-vjeç, pra ai që ka të ardhurat më të larta, do t’i zbriten 48 mijë lekë, nga tatimi e paguara mbi pagën gjatë këtij viti në momentin kur do të plotësojnë Deklaratën Individuale të të Ardhurave Personale.
Nëse të ardhurat bruto vjetore të një individi A janë 150 mijë lekë apo 1,8 mln lekë në vit.
Tatimi i paguar çdo muaj është:
Deri në 30,000 lekë- tatim 0
Pjesa 30,001–130,000 (130,000 − 30,000) × 13% = 100,000 × 13% = 13,000 lekë
Pjesa mbi 130,000 → (150,000 − 130,000) × 23% = 20,000 × 23% = 4,600 lekë
Tatimi mujor i paguar është 17,600 lekë. Tatimi vjetor është 211,200 lekë.
Individi ka një fëmijë të moshës 7 vjeç. Pra numri i personave nën 18 vjeç në kujdestarinë e deklaruesit është 1.
Si fillim të ardhurat vjetore të këtij individi janë mbi 1,2 mln lekë. Automatikisht i lind detyrimi për plotësimin e Deklaratës Individuale të të Ardhurave. Me hyrjen në fuqi të zbritjes së shpenzimeve për fëmijët, nga totali i të ardhurave bruto të këtij individi do të zbriten shpenzimet prej 48 mijë lekë.
Duke qenë se të ardhurat e deklaruara janë mbi 1.2 mln lekë nuk do të përfitojë zbritjen e shpenzimeve prej 100 mijë lekë për arsimimin.
Tatimi i rillogaritur pas zbritjes së shpenzimeve:
Të ardhurat mujore pas zbritjes së shpenzimeve prej 48 mijë lekë do të jenë 146 mijë lekë apo rreth 1,7 mln lekë në vit.
Deri në 30 mijë lekë tatimi është zero
Pjesa 30,001 – 130,000 (130,000 − 30,000) × 13% = 100,000 × 13% = 13,000
Pjesa Mbi 130,000 (146,000 − 130,000) × 23% = 16,000 × 23% = 3,680
Tatimi mujor i rillogaritur = 13,000 + 3,680 = 16,680 lekë apo 200,160 lekw nw vit.
Tatimi i paguar gjatë vitit (pa zbritje) = 211,200 lekë
Gjendja kreditore – 211,200 lekw tatimi i paguar gjatw vitit 2025 -200,160 lekw tatimi i rillogaritur = 11,040 lekë
Kjo është shuma që individi mund ta kërkojë për rimbursim pas plotësimit të DIVA-s.
Kërkesë do të dorëzohet brenda 3 muajve nga plotësimi i DIVA, në drejtoritë rajonale tatimore.
Llogaritja e tatimit pas zbritjes së shpenzimeve rreth 1000 euro për arsimin
Po ashtu nga viti 2026 prindërit me të ardhura vjetore jo më shumë se 1,2 mln lekë në vit, do të përfitojnë edhe zbritje për shpenzimet për arsimimin e fëmijëve deri në vlerën 100 mijë lekë.
Pra nëse merr më pak se 100 mijë lekë (apo rreth 1000 euro) në muaj pagë, përmes faturave të ruajtura për shpenzimet e bëra për arsimimin e fëmijës mund të përfitosh deri në 100 mijë lekë zbritje nga tatimet. Edhe këtë zbritje e merr pasi të plotësosh DIVA-n.
Shembull: Individi X ka të ardhura nga punësimi 70,000 lekë në muaj apo 840,000 lekë në vit.
Tatimi i paguar në çdo muaj është (70,000 – 30,000)*13% = 5,200 lekë dhe në vit 62,400 lekë. Individi për të përfituar zbritjet për arsimin e fëmijëve duhet të plotësojë dhe dorëzojë deklaratën e të arshurave personale deri në 31 mars 2026.
Shuma maksimale që zbritet për arsim është 100,000 lekë pavarësisht nga numri i fëmijëve në moshë nën 18 vjecc. (840,000 – 100,000)/12 = 61,667 lekë/muaj. Tatimi 4,117 lekë (vjetor 49,400 lekë).
Individi do të rezultojë në Deklaratën Individuale të të Ardhurave me gjendje kreditore 13,000 lekë (e rrumbullakosur ).
Këtë gjendje kreditore do ta kërkojë brenda një afati 3 muaj nëpërmjet një kërkesë pranë Drejtorive Rajonale të Tatimeve.