Babai i të birit përlot në studio deputeten e PD-së
Orjola Pampurin, të gjithë e njohin nga ekrani si një psikologe shumë të angazhuar edhe në debatet publike, por ajo së fundi është bërë pjesë e politikës dhe një prej zërave që dëshiron të dëgjohet në Parlament dhe jashtë tij, sidomos për të përcjellë pozicionin e femrës dhe rolin e saj në politikë.
Orjola Pampuri vazhdon të jetë edhe një pedagoge e njohur në Tiranë. Puna me studentët, për të është një pasion i hershëm të cilin nuk do ta lërë as tani që është e angazhuar në politikë.
E ftuar sot në “Rudina”, në Tv Klan, Oriola ka folur për angazhimet e saj të fundit në politikë dhe jetën akademike, por ka rrëfyer më shumë edhe për familjen e saj, e cila, në çdo hap, e sidomos në këtë angazhim të ri dhe aspak të lehtë, ka qenë mbështetja kryesore për të.
Henriku, bashkëshorti i Oriolës, Endi, djali i madh 13-vjeçar dhe Kevin, disa vite më i vogël, janë qendra e botës për Orjolën, ashtu si për çdo nënë familja e saj. Por deputetja e re e ndjen më shumë mbështetjen e familjes, sidomos tani që ajo i ka hyrë një rrugë të re dhe të vështirë siç është politika. Siç tregon ajo në “Rudina”, nëse nuk do të ishte mbështetja e familjes, ajo nuk do të ishte këtu ku është sot. Pa mirëkuptimin e Henrikut, ajo nuk do t’i hynte kësaj rruge: “Henriku është kritiku im më i mirë, pa këshillën e tij, pa mbështetjen e tij, unë nuk do të isha këtu ku jam sot. Historia më Henrikun më ka ndryshuar jetën, kam një fat të jashtëzakonshëm që e kam në krah…” – tha Oriola ndër të tjera për bashkëshortin.
Por nuk e dinte që edhe ai i kishte përgatitur një surprizë. Në një videomesazh të përgatitur nga stafi i “Rudina”, Henriku tha se ai dhe djemtë e konsiderojnë veten me fat që kanë pranë vetes Orjolën: “Tani ti ke më pak kohë të na përkushtohesh mua dhe djemve, por ne prapë do vëmë gjithçka në dispozicionin tënd. Jam i lumtur që pas çdo dite të punës sime, do të të mbështes ty në këtë sfidë të re që ke nisur…” – tha Zotaj ndër të tjera.
Duke i shprehur dashurinë edhe live, bashkëshorti i deputetes së PD-së tha se, meqë ajo nuk e dinte dhe meqë kishte pasur ditëlindjen pak ditë më parë, ai do t’i bënte dhuratë një udhëtim tjetër, në arrati: “Siç thua ti, të arratisemi për t’u ridashuruar…”
Duke kujtuar një libër të përkthyer nga Oriola, “Një orë për të jetuar, një orë për të dashuruar”, bashkëshorti i saj e mbylli mesazhin me një deklaratë të fortë dashurie: “Ti ke një libër të bukur të përkthyer, “Një orë për të jetuar, një orë për të dashuruar”, sikur të kisha edhe një orë për të jetuar, unë do të të dashuroja ty njëqindfish…”
Cila bashkëshorte nuk do të emocionohej pas kësaj deklarate? Oriola e pati të vështirë t’i përmbante lotët… edhe publiku, edhe Rudina gjithashtu.