Babai mban zi për vajzën 10 vjeçe; Familja i jep kurajo: Na lejo të festojmë Vitin e Ri
Që prej shkurtit të këtij viti, çdo festë dhe gëzim ka qenë e ndaluar për familjen Mujaj nga Peja e Kosovës. Humbja e vajzës 10-vjeçare i ka goditur rëndë shpirtërisht Shkëlzenin dhe Melisën, prindërit e vogëlushes. Kur dritat e festave të fundvitit janë ndezur kudo, në qytetet dhe shtëpitë e shqiptarëve, për Shkëlzenin ka qenë e pamundur. Për këtë arsye, Melisa, bashkëshortja e tij dhe katër fëmijët e tjerë kanë marrë rrugën nga Kosova drejt Tiraës për t’i përcjellë një mesazh shprese në studion e “Ka një mesazh për ty” në televizionin Klan. Kjo ka rastisur në ditën kur Shkelzeni mbush 40 vjeç e cila do ishte një datë si gjithë të tjerat nëse ai nuk do gjendej tek “E diela shqiptare”. I surprizuar nga ftesa e bashkëshortes dhe fëmijëve, ai nuk ka mundur dot t’i mbajë lotët teksa ka dëgjuar apelin e tyre që të bëhet i fortë, t’i rikthehet jetës normale, pjesë e së cilës janë dhe festat e fundvitit apo ditëlindja e tij. “Do bëj një vit të ri pak më të vogël”, ka pohuar Shkëlzeni duke u premtuar kështu fëmijëve që do e përjetojnë dhe ata atmosferën festive njëlloj si gjithë të tjerët. Në shenjë mirënjohje për gjithë sakrificat ndër vite, për njeriun më të dashur dhe shtyllën e shtëpisë Melisa dhe fëmijët kishin përgatitur një tortë për t’i uruar ditëlindjen. Më herët Melisa ka treguar për historinë e bukur të dashurisë me Shkëlzenin të cilët u njohën kur ajo ishte vetëm 14 vjeçe. Vështirësitë për të rritur katër fëmijët dhe vogëlushen me aftësi ndryshe e cila nuk jeton më, i ka bërë akoma më të bashkuar si familje. Jeta duhet të vazhdojë, ky ka qenë mesazhi prekës i Melisës, një nëne të vrarë nga humbja e vajzës por që për hir të fëmijëve të tjerë dhe dashurisë për bashkëshortin gjen forca për të ecur përpara.
