“Babai nga vitet u rrëzua, po ti u bëre lis”/ Poezia e dhimbshme që Arben Duka i dedikoi të birit
Nga Arben Duka
…për Denisin
Si pikë e lotit ngjan me mua,
o Biri im-Denis,
babai nga vitet u rrëzua,
po ti m’u bëre Lis!
M’u rrite shpejt-si vetëtima,
sa më tani s’të njoh,
në çdo qelizë të qënies tënde,
unë veten time shoh!
Ndaj do të shkoj këtej i qetë,
dhe dheu do më treti,
se shpirti im i gjerë si det,
tek ti i gjithi mbeti.
Kjo s’është Këngë për Lamtumirë,
po ku i dihet jetës,
bëhu në jetë Njeri i Mirë,
dhe Rob i së vërtetës!
Kjo s’është Këngë për Lamtumirë,
po jeta çfarë s’punon,
bëhu në jetë Njeri i Mirë,se shpirti im të mbron.
Haj-paqe Biri im i vetëm,
më shumë s’kam ç’të them,
po shpirti im ty do të mbrojë,
dhe fare kur mos jem!
Tiranë, 6.12.2007