Babai që humbi vajzën 7-vjeçare në Kanalin Anglez prek me rrëfimin: Nuk do ia fal kurrë vetes!

Babai irakian që humbi vajzën e tij shtatëvjeçare javën e kaluar në përpjekjen e familjes për të kaluar Kanalin Anglez ka folur për BBC për humbjen tragjike, duke thënë se “nuk do të jetë në gjendje ta falë kurrë veten”.

Ahmed Alhasimi kishte hipur në gomone me gruan dhe tre fëmijët e tij nga maja e Vimere, në jug të Calais, më 23 prill, me qëllim që të kalonin ilegalisht në Britani. Pak para nisjes, një grup migrantësh nxituan të hipnin në varkën tashmë të mbingarkuar. Momentet që pasuan ishin makth dhe 7-vjeçarja Sara bashkë me 4 persona të tjerë u shkelën për vdekje.

“Po i kërkoja të lëvizte që të merrja fëmijën tim.”, thotë sot 41-vjeçari për të riun sudanez, i cili ishte mes grupit të emigrantëve që hipën në varkë në minutën e fundit, duke shkaktuar tragjedinë. Megjithatë, ai fillimisht e injoroi dhe më pas e kërcënoi.

“Ne pamë njerëz të vdisnin. Unë pashë se si silleshin këta njerëz. Nuk u interesonte kë shkelnin, fëmijë, i ri apo i moshuar. Njerëzit filluan të mbyten.”

Megjithëse Ahmedi është irakian, vajza e tij nuk kishte shkelur kurrë në Irak. Ajo ka lindur në Belgjikë dhe pjesën më të madhe të jetës së saj tragjikisht të shkurtër e kaloi në Suedi.

Alhasimi përshkroi për rrjetin britanik përpjekjet për të shpëtuar vajzën e tij, trupi i së cilës ishte bllokuar në varkën e mbipopulluar, duke iu lutur emigrantëve të tjerë që ta ndihmonin. Gruaja e tij, Noor Alsaid dhe dy fëmijët e tjerë, Rahaf 13-vjeçar dhe Hussam 8-vjeçar, ishin gjithashtu të bllokuar, por mund të merrnin frymë. “Unë punoj në ndërtim. Jam i fortë. Por as unë nuk e lëvizja dot këmbën.”, thotë ai, duke sqaruar se vajza e tij ishte nën këmbët e pasagjerëve.

Babai që humbi vajzën 7-vjeçare në Kanalin Anglez prek me

Sipas BBC, familja e Alhasimit kishte mbërritur në Calais dy muaj më parë dhe kjo ishte përpjekja e tyre e katërt për të kaluar kanalin anglez. Në raste të mëparshme, policia lokale kishte ndërhyrë dhe i kishte penguar. Kësaj radhe trafikantët, të cilët paguajnë 1500 euro për çdo pasagjer të rritur në varkat e tyre dhe rreth gjysmën e asaj për çdo fëmijë, u kishin premtuar atyre se varka do të transportonte vetëm 40 persona, kryesisht irakianë. Mbërritja e grupit të emigrantëve sudanezë pak para nisjes nga bregu i ka zënë në befasi pasagjerët. Kur Alhasimi e ngriti shtatë vjeçaren nga supet për të ndihmuar motrën e saj të hipte në gomone, Sara e vogël u largua nga pjesa tjetër e familjes së saj dhe u bllokua nën këmbët e pasagjerëve. Babai shkoi tek e bija arriti të arrinte vetëm kur shpëtimtarët francezë mbërritën dhe filluan evakuimin e varkës me 100 emigrantë.

“Pashë kokën e saj në cep të varkës. Ajo ishte e mavijosur. Ajo kishte vdekur kur e nxorëm jashtë. Nuk po merrte frymë.”, thotë burri irakian duke qarë.

Familja e Ahmedit sot mbetet në Francë në pritje të lejes për të varrosur Sarën. Ai sot po i përgjigjet kritikave se ka vënë në rrezik familjen e tij për të hyrë ilegalisht në Britani. “Nuk do ta fal kurrë veten. Por deti ishte zgjedhja jonë e vetme. Kjo që ndodhi nuk ishte ajo që doja. Më mbaruan opsionet. Njerëzit më fajësojnë mua dhe më pyesin se si mund t’i vë në rrezik vajzat e mia. Por kam kaluar 14 vite në Evropë dhe më kanë refuzuar.”, thotë 41-vjeçari. Sipas tij, të gjitha përpjekjet e tij të mëparshme për të siguruar të drejtën e qëndrimit të përhershëm në BE për të dhe familjen e tij, pasi ai u largua nga Iraku për shkak të kërcënimeve nga grupet paraushtarake, dështuan.

Babai që humbi vajzën 7-vjeçare në Kanalin Anglez prek me

41-vjeçari pretendoi se Belgjika refuzoi t’i jepte azil sepse Basra, vendlindja e tij në Irak, konsiderohet një zonë e sigurt. Fëmijët e tij i kanë kaluar 7 vitet e fundit duke qëndruar te të afërmit në Suedi, por së fundmi ai u informua se ata do të dëboheshin bashkë me ta në Irak.

“Nëse do ta dija se kishte edhe 1% mundësi që fëmijët të qëndronin në Belgjikë, Francë, Suedi ose Finlandë, do t’i kisha mbajtur atje. Gjithçka që doja ishte që fëmijët e mi të shkonin në shkollë. Nuk doja ndihmë financiare. Unë dhe gruaja ime mund të punojmë. Doja vetëm të mbroja fëmijët e mi dhe dinjitetin e tyre.”, thotë 41-vjeçari, duke pyetur veten se çfarë do të bënin në vend të tij ata që e akuzojnë. “Ata nuk kanë vuajtur si unë. Kjo ishte zgjidhja ime e fundit”, thotë ai duke kërkuar mbështetje nga qeveria britanike.

Share With:
Translate »
48 Views