“Babi më la amanet mamin, vllain edhe shkollën”, historia prekëse e familjes nga Lushnja që jeton në një garazh

Mbrëmjen e sotme në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” u trajtua historia e familjes Albajrami nga një fshat i Lushnjes që jeton prej 7 vitesh në një garash. Kryefamiljari ka ndërruar jetë prej disa vitesh ndërsa nëna me dy fëmijët për shkak të pamundësisë dhe vuajtjeve jetojnë në garazh.

“Nuk kam asgjë, as shtëpi, asgjë. Kur bie shi, futet uji komplet brenda. Jetë e vështirë. Vetë jam rritur jetime. Babai më ka lënë në klasë të shtatë. U martova dhe më dha Zoti dy fëmijë. Kemi bërë sakrificë të madhe me burrin. Kur më vdiq burri ishte një tmerr dhe një vaki e madhe.”, tha nëna.

Familja Albajrami jetonte në një shtëpi me qira por pas vdekjes së bashkëshortit iu desh të dilte nga banesa. Klara, që është edhe fëmija i madh i familjes i duhet të punojë deri në 20 orë në ditë për të mbajtur familjen por edhe për të vazhduar shkollën që ia ka lënë babai amanet.

“Jam edhe në shkollë. Studioj për infermieri. Marr bursë tek shkolla. Babai ma la amanet. Më thoshte gjithmonë që ty po të lë amanet mamin, vëllain por edhe shkollën. Tani më duhet të kujdesem për të dy”, tregon mes lotësh Klara, e cila është bërë kryefamiljare me peshën që i ka rënë mbi supe.

“Ne nuk kemi pasur asnjëherë që të themi se kemi pasur dhomën tonë. As mami, babi nuk ka jetuar në një shtëpi të mirë. Edhe vëllai është i vogël dhe do që të marrë shokët, por këtu nuk i sjell dot sepse nuk ka kushte.”, tregon ndër të tjera Klara për Elvis Naçin dhe bashkëshorten e tij.

Por falë mbështetjes që kanë dhënë shqiptarët, familja Albajrami është bërë me shtëpi të re. “Kam ngel pa fjalë. Ishte e papritur”, tha nëna pasi mori lajmin se janë bërë me shtëpi të re ndërsa i falenderoi të gjithë për mbështetjen e dhënë. Për më tepër, ata do të marrin edhe një pension mujor.

“Ai zotëria do t’ju vendosë edhe një pension të mirë. Ju keni ardhur me një shtëpi të re brenda në qytet dhe në një farë kohe keni nevojë për suport kështu që zotëria me zemër të bardhë nuk ka menduar vetëm për shtëpinë por edhe për një pension”, tha Elvisi.

Share With:
Translate »
87 Views