Bashkëshorti humb jetën nga koronavirusi, nëna dhe dy fëmijët vetëvriten nga turpi
Gruaja dhe dy fëmijët e një 52-vjeçari në Indi, që ndërroi jetë nga Covid-19, janë vetëvrarë pas një depresioni të thellë disaditor. Shkak i vëtëflijimit ishte turpërimi nga fqinjët dhe të afërmit që nuk ishin të pranishëm në mortin e kryefamiljarit.
Parimi Snuneetha, 50 vjeç, djali i saj, Narasaiah Phanikumar, 25 vjeç, dhe vajza 23-vjeçare Lakshmi Aparna, i dhanë fund jetës afër shtëpisë së tyre në Andhra Pradesh, në Indi, të mërkurën.
Sipas “Times”, në Indi, burimet nga policia thanë se familja ra në depresion pas vdekjes së 52-vjeçarit, i cili ndërroi jetë nga Covid-19 katër ditë më parë.
Policia raporton se ata ndiheshin “të poshtëruar” pasi të afërmit dhe miqtë nuk morën pjesë në varrimin e njeriut të tyre të dashur.

Në makinën e familjes u gjet një shënim pas vetëvrasjes, në të cilin shkruhej se ata ishin viktima të “stigmës sociale” që rrethon virusin.
Ajo që njihet si “stigma sociale” e koronavirusit në Indi ka bërë që shumë familje të vuajnë pasi janë braktisur nga të gjithë pas infektimit të ndonjë anëtari.
Muajin e kaluar, një nënë në Bengalin Perëndimor u përpoq të vriste veten dhe dy fëmijët e saj, pasi bashkëshorti vdiq nga koronavirusi. Familja u shpëtua nga fqinjët.
Ato që Kombet e Bashkuara i konsiderojnë si “frika, thashethemet dhe stigma” janë sfida kryesore për përballimin e virusit në të gjithë botën.