“Bëjini sytë katër”, Zhaklin Lekatari këshillon prindërit: Familja tradicionale është në krizë…
Video e një vajze rreth 10 vjeç e cila i fliste një zonjë, që mendohet të jetë gjyshja me një fjalor të papërshtatshëm ka bërë xhiron e rrjetit. Fjalori banal, promovimi i skandalit ka ngritur shumë shqetësime. Pikërisht për të diskutuar rreth kësaj çështjeje ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan aktivistja Zhaklin Lekatari.
Ajo është shprehur se një video e tillë tregon edhe një herë se sa në krizë është familja tradicionale shqiptare. Sipas Zhaklinës këto probleme ndodhin për disa arsye por më kryesorja është se fëmijët janë më të familjarizuar se prindërit me rrjetet sociale dhe shpesh ata mbeten të pakontrolluar për veprimet e tyre.
Më tej aktivistja ka shtuar, shoqëria duhet ta shikoj fajin te vetja dhe se prindërit duhet të jenë më të kujdesshëm dhe të përshtaten me kohën dhe epokë e fëmijëve të tyre, duke ndërtuar kështu ura komunikimi me ta.
Rudina Magjistari: Ka shumë prindër që nuk janë në dijeni të informacionit të papërshtatshëm që marrin fëmijët nëpërmjet mediave sociale.
Zhaklin Lekatari: Ka disa problemee para e punës fëmijët janë më të familjarizuar me rrjetet sociale, me internetin, me botën virtuale shumë më shumë se prindërit e tyre sepse janë të lindur dhe të rritur në këtë botë. Ndonëse të gjitha këto rrjete sociale japin metodat, mjetet që prindërit të kenë kontroll, mbi pajisjet, mbi hapësirën, mbi kohën që fëmijët kalojnë në internet, duket se kjo nuk ndodh. Ka disa problematike, fëmijët e përdorin më mirë, prindërit që janë të shkëputur, prindërit që nuk kanë kohë. Ne po shikojmë edhe një herë një krizë shumë të madhe në familjet shqiptare, një krizë të vlerave, një krizë të moralit. Gishtin duhet ta drejtojmë nga vetja se duket se sa herë që flasim për fenomene që janë në shoqërinë shqiptare duket sikur merremi vetëm me ato zbukurimet, me pjesën e jashtme me kozmetikën. Duket sikur kemi frikë të shikojmë thellësisht dhe të kuptojmë se ku kemi gabuar, se sa jemi përgjegjës dhe se çfarë realisht duhet të bëjmë, duhet të kthejmë sytë nga familja tradicionale shqiptare, e cila është në një krizë shumë të madhe. Po shikojmë se si sillet me gjysmën e shoqërisë dhe po shikojmë edhe se çfarë po ndodh me fëmijët se në fund të fundit janë e ardhmja që do ndërtojnë shoqërinë e nesërme.
Rudina Magjistari: Çfarë do i thoje prindërve nga ana jote? Një kujdes apo një vëmendje ndoshta më të madhe për sa i takon asaj që ndodh në jetën e përditshme në jetën e tyre.
Zhaklin Lekatari: Unë nuk dua të frikësoj askënd, por dua t’ju them të gjithë atyre që më dëgjojnë që ne jetojmë në një kohë me shumë sfida. Duke parë vendin ku jetojmë dhe sfidat me të cilat ne po përballemi, për të cilat ne mund të kemi dhe shumë pak njohuri, pra mund të jenë të panjohura, mendoj se duhet t’i bëjnë sytë katër, që të jenë më pranë fëmijëve të tyre, të jenë më të kujdesshëm se si e kalojnë kohën fëmijët e tyre, të krijojnë ura komunikimi me fëmijët e tyre, të mundohen të zhbëjnë ato frikëra dhe ato vlera të kaluarës të cilat nuk përshtaten më me epokën në të cilën jetojnë dhe me shoqërinë në të cilën jetojnë fëmijët e tyre. Kështu që të jenë më të kujdesshëm me pajisjet me kohën, me çfarë bëjnë fëmijët e tyre kur lundrojnë në internet. Dhe të krijojnë ura komunikimi që fëmijët të kenë më shumë besim te prindërit e tyre.