Brenda dasmës më të përfolur të momentit, Armina dhe Shkëlzeni kurorëzojnë sonte dashurinë!

Dashuria e Arminës dhe Shkëlzenit kurorëzohet sot, më 25 shtator 2022. 9 vite kaluan shpejt, si ajri që kalon në hapësirën plot me kujtime. Armina, vajza çapkëne, me buzëqeshjen e kristaltë që e karakterizon, Shkëlzeni djali i hijshëm, sharmant. Një shikim, rastësor në një bar, u bë pikënisja e një bote të madhe, një historie që një mbrëmje shtatori, të freskët kurorëzohet në martesë. Në çdo vit, dashuria e tyre u bë më e pastër, më e qartë, më e forte, duke krijuar një dritë të madhe sa vetë hëna. Për herë të parë, ajo që e bëri publike historinë e tyre të dashurisë ishte revista “Who”, në numrin e saj të parë në vitin 2014, duke u bërë kështu një ogur mbarësie për një histori dashurie.  

Ka një formulë dashurie që e njohin vetëm ata të dy, “A” dhe “Sh” për të krijuar përgjithmonën që gdhendet në zemrat e të dyve. Një premtim aty në stolin e dashurisë, buzë liqenit të Comos, një propozim spontan, po aq sa edhe unik. Unazë e propozimit e mban në dorë në natën e kurorëzimit, si simbol të rrahjes së parë dhe të përjetshme me dashurinë e saj, Shkëlzenin.


Tiktaku e shton ritmin, duke ecur në shkallët e lumturisë, të dashurisë, të përjetësisë. Armina shkëlqen e veshur me fustanin e Vivienne Westwood, i dizajnuar posaçërisht për të, me detaje që bëjnë diferencën. Armina prej vitesh bashkëpunon me Vivienne, duke sjellë brendin e saj në Shqipëri. Nuk mbaron me kaq, Festim Isufi gjithashtu ka stiluar një fustan posaçërisht për Arminën. Por një qershizë mbi tortë mbetet edhe krijimi fenomenal i Valdrin Sahitit.

Pamja e nuses është natyrisht një dimension i një rëndësie të veçantë, dhe për këtë Armina ia ka besuar flokët duarve të arta të Kaçit dhe make-up-in Arbër Bytyçit. Detajet bëjnë diferencën, ndaj vathët janë të krijuar nga argjendari “Pirro”.

Një mjedis i zgjedhur me kujdes, në mes natyrës, dritës, hapësirës së pafundme që krijon horizonte të papërshkrueshme. Në mjedisin e agroturizëm “Gjepali”, në kujdesin e veçantë të shef Fundim Gjepalit, Armina dhe Shkëlzeni gjetën një copëz nga bota e tyre, e asaj që kishin imagjinuar për ditën e tyre të rëndësishme. Për ta bërë çdo gjë magjike, po aq sa dita e tyre e dasmës, është kujdesur “Geraldina Sposa”. Buqeta nga “Floral Fantasy”.  Për fotot mahnitëse të Arminës dhe Shkëlzenit është kujdesur Armand Sallabanda, dora e artë ka krijuar mrekulli. Çifti është shoqëruar nga një makinë e tipit “Lincoln”, e viteve 60’. Një celebrim në dasmë? Jo. Nuk dihet nëse kjo ceremoni është bërë në prezencë të njerëzve më të afërt, apo do të zhvillohet më vonë. Armina dhe Shkëlzeni, urime, urime, urime!

Share With:
Translate »
113 Views