Çfarë e ‘detyroi’ Rudina Magjistarin të sqarojë publikisht vendimin që ka marrë për Mian
Ndodh shpesh që Rudina Magjistari t’i bashkohet ose të jetë kundër mendimit të të ftuarëve në lidhje me tema të ndryshme që trajton në programin e saj, por gjithmonë di të jetë objektive para publikut, edhe nëse, në ndonjë rast si i sotmi, mund ta vërë pak në siklet.
E ftuara e sotme, Ermira Çausholli, ka vetëm pak muaj që është bërë nënë për herë të katërt, por asgjë nuk e pengon që vajzën dhe portretin e saj ta ndajë me publikun.
Gjatë bisedës me Rudinën në studio, Ermira u shpreh se e ndjen për detyrë ndaj publikut që t’i shfaqë momentet e saj më të bukura duke përmendur faktin që shumë personazhe të njohur nuk e bëjnë këtë, pasi besojnë tek besëtytnitë.
“Unë them që për sa kohë kam kaq vite në televizion, e ndjej për detyrë që publiku duhet të shohë gjërat e mia më të mira. Do ishte shumë mirë që njerëzit publikë të shfaqen tek publiku i tyre me më të mirat e tyre. Pse jo edhe me fëmijët kur janë bebe. Shumë njerëz vuajnë nga besëtytnitë, jo mos e marrin mësysh, jo është e vogël mos e nxirr në foto, unë dua të ndaj me publikun çdo moment, edhe atë më të vështirin”,- tha Ermira.
Pas kësaj deklarate, Rudina sqaroi se ajo vogëlushen e saj Mia, preferon të mos e shfaqë në ekran dhe shpesh nëpër foto, sepse për të do të ishte një peshë e madhe. Moderatorja u shpreh se edhe ajo ka shumë dëshirë të ndajë këto momente me publikun, por e përmban veten.
“Ndryshe nga ty, unë kam zgjedhur që për momentin mos ta shfaq vajzën time, sepse mendoj që vëmendja e tepërt mund të ishte një peshë e madhe për të. Dëshira ime është shumë e madhe që t’i ndaj këto momente, mezi e përmbaj veten për të mos e ndarë me publikun”,- tha Rudina duke sqaruar kështu vendimin e saj për Mian.