Ç’mund të bëhet më shumë për fëmijët ndryshe?
Aspekti më i rëndësishëm, përveç kuadrit ligjor dhe politikëbërës, për kategorinë e fëmijëve me aftësi ndryshe, është ndjeshmëria dhe sensibiliteti social që gjeneron ndaj kësaj kategorie. Ndjeshmëria sociale ndaj kategorisë së fëmijëve me aftësi ndryshe, si nën-kategori e Personave me Aftësi të Kufizuar (PAK), tregon dhe sesa është prirja e shoqërisë për krijimin e një ambienti jetese sa më gjithëpërfshirës.
Në kuadër të nismave ligjore dhe institucionale, si bazament mbi të cilin hartohen dhe zbatohen politikat sociale, ka shërbyer ratifikimi i Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve, si dhe modele apo metodologji të huaja. Aspiratat e vendit tonë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, padyshim e kanë futur në një tjetër dimension hartimin dhe aplikimin e politikave të përfshirjes sociale, mbrojtjes së grupeve në nevojë si dhe të politikave të mosdiskriminimit.
Çfarë mbetet për t’u përmirësuar në hartimin dhe aplikimin e politikave sociale për kategorinë e fëmijëve me aftësi ndryshe?!
Në kuadër të politikave të përfshirjes sociale, aspekti më i rëndësishëm është krijimi i ambienteve të posaçme për arsimimin e fëmijëve me aftësi ndryshe. Kjo bëhet e mundur përmes krijimit të qendrave specifike të edukimit, punësimit të mësuesve mbështetës në shkolla, si dhe trajnimin e mësuesve dhe edukatorëve.
Gjithashtu mjaft i rëndësishëm, është ofrimi i shërbimeve shëndetësore dhe riaftësuese përkatëse, të cilat bëjnë të mundur që kjo kategori e fëmijëve me aftësi ndryshe të mos ndiejë përjashtim social. Vlen të theksohet se, krijimi i infrastrukturës së duhur në rrugë dhe institucione, si dhe pajisja me mjetet e nevojshme fizike, është një problematikë kyçe, e cila duhet zgjidhur sa më parë për arritjen e një barazie si dhe lejimin e integrimit të plotë të fëmijëve me aftësi ndryshe.
Një nga qasjet kryesore të politikave sociale, është nxitja e mëtejshme e politikave të mosdiskriminimit. Kjo mund të realizohet praktikisht përmes bashkëpunimit të aktorëve socialë, institucionalë dhe të shoqërisë civile, për realizimin e fushatave sensibilizuese dhe edukuese mbi ngritjen e vetëdijes shoqërore për mosdiskriminim dhe pranimin e personave që shfaqin sjellje apo elementë të ndryshëm. Me gjithë bonsensin e prindërve për një punë të palodhur kundrejt fëmijës me aftësi ndryshe, dalin pengesa të cilat e bëjnë të vështirë ndjekjen e praktikave të veçanta të trajtimit të tyre. Ndër to padyshim është pamundësia financiare. Në këtë kuadër, duhet reformuar dhe përshtatur masa e pagesave për kategorinë e fëmijëve me aftësi ndryshe në përputhje me nevojat e saj.
Ndihmë mund të jetë dhe fuqizimi i shoqërisë civile, përmes krijimit të organizatave jo fitimprurëse dhe inicimit të projekteve më afër qytetarit, për ofrimin e shërbimeve me pagesa të ulëta ose shërbime vullnetare, për familjet e këtyre fëmijëve. Duhet theksuar se aplikimi i politikave sociale duhet të kryhet përmes një sistemi të decentralizuar në nivel vendor. Pushteti vendor është komponenti kryesor në zbatimin e politikave sociale, përmes bashkive dhe qendrave të rehabilitimit. Decentralizimi i zbatimit të këtyre politikave, bën të mundur ofrimin e shërbimeve më pranë kategorisë së fëmijëve me aftësi ndryshe.
Si përfundim, duhet thënë se trajtimi i çështjeve të politikave sociale për kategorinë e fëmijëve me aftësi ndryshe kërkon një trajtim të gjerë dhe multi-dimensional. Jo sepse çështje të tjera janë më pak të rëndësishme, por trajtimi i fëmijëve në vetvete është kompleks, ndaj padyshim që trajtimi i fëmijëve me aftësi ndryshe, kërkon një bashkëpunim të ngushtë të të gjithë komponentëve, si institucionalë ashtu edhe të aktorëve socialë e komunitarë. Mbi të gjitha, ne duhet t’i duam e trajtojmë me ndjeshmëri këta fëmijë, sepse përkrahja emocionale dhe solidariteti social janë zgjidhja morale e kësaj kauze.