Ç’ndodhi natën gjatë kërkimeve në rrënoja?
Operacioni i kërkimit dhe shpëtimit të banorëve të mbetur nën rrënoja vazhdoi pa ndërprerje edhe gjatë natës. Për fat të keq, numri i viktimave u rrit dhe momentalisht janë konfirmuar 25. Nga ana tjetër, raportohet se 45 persona janë shpëtuar në total, ndërkohë që më shumë se 650 kanë marrë ndihmë në spitalin e Traumës dhe në spitalin e Durrësit. Gjendja e pjesës më të madhe të të lënduarve paraqitet e qëndrueshme, ndërkohë që 9 po qëndrojnë në vëzhgim intensiv.
Deri tani, nuk ka ende një konfirmim zyrtar nëse ka ende persona nën rrënoja. Operacioni për kontrollin e zonës vazhdon ende.
Gjatë natës, Bashkia e Durrësit strehoi rreh 2500 banorë në çadrat e vendosura në zonën e stadiumit të qytetit.
Lëkundjet e tërmetit kanë vazhduar dhe sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, numërohen rreth 310 paslëkundje.
Në një deklaratë për mediat sot në mëngjes, kryeministri Rama theksoi se situata mund të kish qenë më dramatike, në rast se do të mungonte solidariteti i shqiptarëve dhe shteteve fqinjë.