“Covid ka zhdukur gripin e stinës”/ Shefja e Pediatrisë tregon sa fëmijë janë prekur nga pandemia
Fundviti zakonisht ka qenë periudha e gripit sezonal, çka sillte që spitalet të mbusheshin plot.
Por kujdesi i veçantë ndaj Covid-19 që prindërit kanë treguar ndaj fëmijëve të tyre siç është higjena dhe distancimi ka bërë që virozat sezonale të jenë më të pakta këtë vit.
Këtë fakt e ka konfirmuar shefja e pavijonit të pediatrisë në Elbasan Irena Palloshi, e cila thekson se numri i fëmijëve që kanë shfaqur shqetësime shëndetësore është reduktuar në 30% krahas një viti më parë.
Shefja e pediatrisë thekson se fluksi i fëmijëve është reduktuar ndjeshëm dhe se për shkak të temperaturave vijnë fëmijë që shfaqin probleme me diarrenë dhe të vjellat.
“Në Pediatrinë e Elbasanit fluksi i fëmijëve është më i reduktuar, gati 30 % më pak se shifrat e një viti më parë. Këtë sezon pasi kanë rënë edhe temperaturat, kryesisht vijnë fëmijë që kanë diarre, të vjella”, tha Irena Palloshi për Fax News.
Ndonëse më pak të rrezikuarit e virusit, në Elbasan që nga shfaqja e pandemisë janë prekur me covid-19-të 40 fëmijë. Fatmirësisht në moshën pediatrike nuk është shënuar asnjë jetë e humbur.
“Në Spital do të vijnë kur ta rekomandojë vetëm mjeku i familjes, në rastet kur janë urgjente. Por tek mjeku i vetë, fëmija do të paraqitet për çdo lloj shenje siç është temperatura, kolla e shtuar, gjendja e përgjithshme jo e mirë”, theksoi shefja e pediatrisë në Elbasan.
Në kushtet kur virusi i rrezikshëm vijon të jetë ende mes nesh dhe të marrë çdo ditë jetë njerëzish, shefja e pediatrisë në Elbasan vijon apelin e saj për të treguar kujdes të shtuar ndaj masave , por dhe ushqimit që konsumojmë.